
Janari i vitit 2021 nis me një “bum” premtimesh, të cilat pritet të kthehen në vendime, rritje pagash në sektorin publik, të cilat fillojnë me shëndetësinë, me 40% rritje dhe arsimi me 15%. Po ashtu, zerim të tatimfitimit dhe TVSH për biznesin e vogël.
Për të folur për këto zhvillime ishte i ftuar në A2 eksperti i ekonomisë, pedagogu Mateo Spaho, i cili vlerësoi masat si të duhura, por u shpreh i pasigurt nëse këto masa do të vijojnë edhe pas zgjedhjeve, nëse qeveria aktuale do të fitonte sërish.
“Masat janë të paralajmëruara. Ato që kanë qenë politikat e qeverisë më parë për sa i përket biznesit të vogël, sot që po afrohet fushata elektorale kemi një ndryshim total të tendencës, me fjalë mesa duket. Por, kam frikë se në maj-qershor, pas zgjedhjeve, qeveria, nëse do të kalonte testin e zgjedhjeve, do t’i ndryshonte edhe njëherë këto taksa, duke i ringritur”.
Eksperti theksoi se masat janë të duhura, por ka pikëpyetje për adoptimin e tyre. “Masat nuk janë të këqija, pasi do të lejonin një dalje të ngadaltë të vendit nga kriza, por nga ana tjetër, besueshmëria ndaj atyre që propozojnë këto masa është mjaft e ulët sepse kanë pasur mundësi në 7 vite t’i adoptonin këto masa, ndërsa kujtohen muajt e fundit”, u shpreh Spaho.
Por pse këto masa nuk u bënë më herët? “Sot, Shqipëria ka një borxh publik shumë më të lartë, në raport me 2 apo 3 vite më parë. Hapësirat buxhetore ekzistonin, por nuk ka qenë ky prioriteti. Nuk ka qenë prioritet ngritja e rrogave, nuk ka qenë një prioritet afatgjatë. (A2 Televizion)