Dimri fillon më herët në Kukës, banorët ankohen për çmimin e druve të zjarrit

Nga A2 CNN
7 Tetor 2020, 13:09 | Ekonomi
Dimri fillon më herët në Kukës, banorët ankohen

Temperaturat në Kukës janë ulur ndjeshëm dhe dimri ka filluar më herët ndërsa qytetarët po përballen me çmime të shtrenjta në tregun e zi të shitjes së druve të zjarrit për ngrohje, edhe pse në fuqi është ende moratoriumi në pyje.

Kjo ka krijuar vështirësi të mëdha për sigurimin e tyre pasi shumica e familjeve kuksiane trajtohen me ndihmë ekonomike dhe asnjë anëtar i familjes nuk është në punë.

Ndërkohë, në qytetin e Kukësit, ende nuk është hapur pika e tregtimit për drutë e zjarrit, kryetari i Bashkisë, Safet Gjici, bën të ditur se janë marrë të gjitha masat për furnizimin e qytetarëve dhe institucioneve arsimore me dru zjarri për ngrohje dhe se në ditët në vazhdim do të ketë dru për ngrohje me shumicë pa qenë nevoja që të blejnë në tregun e zi.

Në qytetin e Kukësit, gjatë dimrit harxhohen më shumë se 15 mijë/metër kub dru zjarri nga familjet, pa llogaritur këtu shkollat dhe institucionet parashkollore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos