
Presioni për pikë dhe për rezultate ka nisur të ndihet edhe te Shpresat. Nëse deri më tani trajnerët janë mbrojtur me moton "për të përgatitur elementët e rinj për Kombëtaren", Alban Bushi nuk e pranon një diskutim të tillë.
Sipas trajnerit kuqezi, ndeshja e 7 qershorit në Turqi është tejet e rëndësishme për edicionin e përfaqësueses së 21-vjeçarëve.
“Ne duam të çojmë lojtarë lart, por kryesorja është të fitojmë. Është ndeshja e tretë e jona dhe kemi vetëm një pikë. Nëse nuk marrim rezultat pozitiv, do ta kemi të vështirë të kapim vendin e dytë”, tha Bushi.
Mungesat për këtë ndeshje janë të shumta, me 5 titullarë që nuk janë në dispozicion të skuadrës, duke e detyruar Bushin që me zgjedhjet e tij të djegë etapat për disa lojtarë të perspektivës.
Pas ndeshjes kualifikuese me Turqinë, Shpresat do të luajnë edhe dy miqësore në shtëpi ndaj Uellsit, në datat 9 dhe 11 qershor. (A2 Televizion)