“Dhuna e policisë u dënua në Parlamentin Europian”, Tabaku: Eurodeputetët kërkojnë standarde demokratike

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2026, 12:52 | Politikë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar në një lidhje Live për gazetarin Andi Nuraj në A2 CNN mesazhet që vijnë nga Brukseli për Shqipërinë, pas mbledhjes së Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian.

Tabaku tha se shqetësimet e ngritura nga eurodeputetët shkonin përtej përkatësive të tyre ideologjike, pasi në diskutim morën pjesë përfaqësues të së majtës, së djathtës dhe të të gjelbërve.

Sipas saj, në mbledhje u theksua se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq, ndërsa protestat e fundit kanë nxjerrë në pah shqetësime për demokracinë, dhunën ndaj qytetarëve dhe përqendrimin e pushtetit.

“Shqetësimi kryesor ishte përtej forcave politike, sepse aty folën përfaqësues të të majtëve, të djathtëve, të të gjelbërve. Ishte shqetësimi se sot Shqipëria ndodhet në një udhëkryq”, u shpreh Tabaku.

Ajo bëri të ditur se gjatë muajve të fundit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë u kanë përcjellë eurodeputetëve shqetësimet e tyre për situatën në vend.

“Protesta është duke ekspozuar edhe një anë tjetër, autokracinë, dhunën ndaj qytetarëve, arrogancën dhe përqendrimin e pushtetit”, deklaroi deputetja demokrate.

Tabaku veçoi edhe qëndrimin e eurodeputetit Galer, i cili, sipas saj, theksoi nevojën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për një qeveri teknike. “Z. Galer theksoi nevojën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të një qeverie teknike”, tha ajo.

Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë diskutimeve, sipas Tabakut, lidhej me gjobat që ajo i cilësoi joproporcionale, të parashikuara në paketën e masave për protestat, si dhe me dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve.

Deputetja përmendi gjithashtu ndërhyrjen e eurodeputetit Kovaçev, i cili ngriti shqetësimin edhe për rastet e dhunës nga ana e protestuesve. “Z. Kovaçev ngriti shqetësimin edhe për faktin që ka pasur dhunë edhe nga ana e protestuesve, ku ai dënoi të dyja palët”, u shpreh Tabaku.

Në përfundim, ajo nënvizoi se standardet europiane nuk duhet të mbeten vetëm në nivelin e ligjeve të miratuara, por duhet të zbatohen në praktikë.

“Shqipëria, të gjitha ligjet që miraton dhe kriteret që i ka të detyrueshme për integrimin, duhet t’i shohim të zbatuara në praktikë, sepse ajo që po shohim sot në Shqipëri nuk tregon as shtet europian, as standarde europiane”, përfundoi Tabaku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos