Vrau dy vëllezër në Shkodër, nën akuzë edhe për dy krime në Greqi, arrestohet 44-vjeçari me dy identitete

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2026, 12:59 | Kronikë

Vrau dy vëllezër në Shkodër, nën akuzë edhe

Është arrestuar në Greqi një 44-vjeçar shqiptar, me identitet të rremë, i dënuar në Shqipëri me 22 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër dhe i akuzuar nga autoritetet greke për vrasjen e dy personave në Korinth.

Identifikimi i tij u bë falë ekspertimit të të dhënave biometrike nga specialistët e Institutit të Policisë Shkencore.

Zef Preldakaj alias Fran Preldakaji në Greqi përdorte identitetin Nikolin Pali dhe kishte ndryshuar edhe datëlindjen. Ai rezulton i dënuar në Shqipëri me 22 vjet burgim për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër.

Po ashtu 44-vjeçari akuzohet edhe për vrasjen e dy shtetasve në Korinth të Greqisë, si dhe rezulton me precedentë penalë në këtë shtet për grabitje me armë, posedim të lëndëve narkotike dhe shkelje të legjislacionit për armët dhe lojërat e fatit.

"Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Athinës, gjatë kësaj faze të operacionit u arrestua shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht, Zef Preldakaj alias Fran Preldakaj, 44 vjeç, i cili në Greqi përdorte identitetin Nikolin Pali dhe kishte ndryshuar edhe datëlindjen.

Në vitin 2008, Gjykata e Shkodrës e ka dënuar këtë shtetas me 22 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”, kryer në bashkëpunim. Në vitin 2002, 44-vjeçari dhe shtetasit shqiptarë të arrestuar, A. N. dhe B. D., kanë shkuar në subjektin e shtetasve S. V. dhe S. V., vëllezër, në fshatin Shtoj i Vjetër, me qëllim grabitjen e xhiros ditore. Gjatë tentativës së njërit prej vëllezërve për t'i marrë armën shtetasit B. D., shtetasi A. N. ka qëlluar me armë në drejtim të të dy vëllezërve, të cilët kanë humbur jetën në vendngjarje".

"Nga hetimet është provuar se shtetasi Zef Preldakaj alias Fran Preldakaj, gjatë ngjarjes, ka qëndruar te dera e subjektit, për të mbuluar dhe siguruar veprimet e shtetasve A. N. dhe B. D. Pas kryerjes së krimit, ai është larguar së bashku me ta. Në vitin 2020, ky shtetas është akuzuar nga autoritetet greke në Korinth për vrasjen e një shtetasi grek dhe një shtetaseje ukrainase, trupat e të cilëve u gjetën në një automjet.

 Gjithashtu, ai rezulton me precedentë penalë në Greqi për grabitje me armë dhe shkelje të ligjit për armët, në vitin 2014; shkelje të ligjit për rregullimin e tregut të lojërave të fatit, në vitin 2013; si dhe posedim të lëndëve narkotike, në vitin 2005. Identifikimi i këtij shtetasi dhe individualizimi i akuzave ndaj tij u bënë si rezultat i ekspertimit të thelluar të të dhënave biometrike, të kryer nga ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore. Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet greke për të dokumentuar plotësisht përfshirjen e këtij shtetasi në veprimtari kriminale, si dhe për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për ekstradimin e tij në Shqipëri". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos