Sara Mila u paraqit në SPAK pak para orës 10:00. Pas gati një ore dëshmi, ajo nuk foli për mediat mbi arsyen e thirrjes, duke ruajtur sekretin hetimor. “Sa i përket pranisë sime këtu, në organet e drejtësisë nuk vihet vetëm për ato që i keni me shumë qejf t’i deklaroni. Vihet për një përgjegjësi publike, një përgjegjësi politike”, tha ajo, përcjell A2 CNN.
E pyetur nëse dëshmia kishte lidhje me zgjedhjet në Elbasan, Mila as e pohoi dhe as e mohoi këtë çështje, por akuzoi opozitën për hedhje balte ndaj saj.
“Jam si person në dijeni. Shumë baltë është hedhur mbi mua nga aparatet e politikës së vjetër. Ky është një moment shumë i mirë për të treguar dinjitetin tim. Ka një sekret hetimor, jam person në dijeni, kam dhënë dëshminë time dhe kam përshtypjen që ky kalvar i gjatë i hedhjes së baltës së politikës së vjetër do të përfundojë”, tha ajo.
Përballë mediave qëndroi vetëm pak minuta, duke argumentuar se duhej të nisej drejt Elbasanit. Megjithatë, ajo shtoi se ishte e gatshme të paraqitej sërish nëse do t'i kërkohej.
“Sa herë SPAK-u dhe organet e drejtësisë të kenë nevojë, edhe në respekt të besimit të të gjithë qytetarëve të Elbasanit, do të jem këtu sa herë të jetë e nevojshme. Faleminderit, se po më presin qytetarët në Elbasan për festën e Çlirimit”, tha deputetja e PS.
Sara Mila, në zgjedhjet e vitit të shkuar, mori rreth 18 mijë vota, duke u renditur si kandidatja më e votuar në qarkun e Elbasanit. Ndërkohë, opozita e ka akuzuar për lidhje me Suel Çelën.
Burime pranë SPAK-ut bënë me dije se Mila dha shpjegime në cilësinë e personit që ka dijeni, në kuadër të një hetimi për “korrupsion në zgjedhje”.
Në dosjen e mbërritur në SPAK nga Prokuroria e Elbasanit po hetohen dyshimet për përfshirjen e disa zyrtarëve vendorë në favorizimin dhe dhënien e ndihmës ekonomike individëve të caktuar në qarkun e Elbasanit, në këmbim të votave për Partinë Socialiste. (A2 Televizion)