Apeli ndryshon vendimin për Oltion Bistrin, dënim me burg për dy akuza, i konfiskohet pasuria

Nga Armand Bajrami
11 Nëntor 2026, 13:14 | Kronikë

Apeli ndryshon vendimin për Oltion Bistrin, dënim me burg për dy

Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar vendimin për ish-shefin e Operacionales, Oltion Bistrin, duke e shpallur fajtor për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Për akuzën e korrupsionit, Apeli e ka dënuar me 5 vite burgim, ndërsa për pastrimin e produkteve të veprës penale me 7 vite burgim.

Në bashkim të dënimeve, Bistrit i janë caktuar 11 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar është 7 vite e 4 muaj burgim.

Krahas dënimit me burg, gjykata ka vendosur edhe konfiskimin e pasurive të tij, mes tyre apartamente, dyqane dhe një shumë prej 1 milion e 300 mijë eurosh.

Në Shkallën e Parë, Bistri ishte dënuar me vetëm 2 vite burgim për akuzën e nxjerrjes së të dhënave sekrete. Ai u lirua nga burgu në nëntor të vitit 2025, ndërsa vendimi i sotëm i Apelit e rikthen në qeli.

Ndërkohë, për të pandehurit e tjerë të kësaj çështjeje është lënë në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë.

Konkretisht, Edmond Preka është dënuar me 7 vite burgim, Astmer Bilali me 5 vite e 8 muaj burgim, Behar Brajoviq me 8 vite e 8 muaj burgim, ndërsa ish-prokurori Xhevahir Lita me 3 vite e 4 muaj burgim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos