
Pakti për Universitetin do të vazhdojë të zbatohet edhe vitin e ardhshëm. Në prezantimin e projektbuxhetit të vitit 2020 në Konferencën e Kryetarëve, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, deklaroi se arsimi do të vijojë të mbetet një nga sektorët prioritarë të qeverisë, ndërsa shtoi se shpenzimet buxhetore do të ofrojnë mbështetje të vazhdueshme për studentët në kuadër të Paktit për Universitetin.
“Në këtë sektor do të financohet me përparësi. Arsimi i lartë duke rritur më shumë se dyfish investimet për arsimimin, nga 340,5 milionë në vitin 2019 me mesatarisht 750 milionë lekë në vit, përgjatë 2020-2022. Me këtë buxhet garantohet mbështetje e vazhdueshme për studentët në kuadrin e Paktit për Universitetin”, deklaroi ministrja Anila Denaj.
Përmes këtij dyfishimi të buxhetit për arsimin e lartë, do të subvencionohen sërish edhe tarifat për studentët në ciklin e studimeve “bachelor”. Por, pavarësisht rritjes, shpenzimet për arsimin zënë vetëm 2,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. (A2 Televizion)