PD: Ky është buxheti KÇK, propaganda nuk mund ta fshehë kolapsin ekonomik

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2019, 14:29 | Ekonomi
PD: Ky është buxheti KÇK, propaganda nuk mund ta fshehë

Partia Demokratike ka reaguar pak orë pas prezantimit të projekt buxhetit të vitit 2020 nga Qeveria. Drejtori i kabinetit në PD, Dorian Teliti, tha se ku buxhet rrit mirëqenien e qytetarëve, por është buxheti që pasuron akoma më shumë oligarkët dhe klientët e Qeverisë.

“Propaganda e qeverisë me buxhetin nuk mund ta fshehë kolapsin ekonomik. Buxheti 2020 është pasqyra e paaftësisë së kësaj qeverie, e krizës ku e ka zhytur ekonominë e shumicës së familjeve dhe e mungesës së vullnetit për të punuar për qytetarët”, tha Teliti.

Sipas tij, në projekt buxhet nga njëra anë pretendohet rritje ekonomike prej 4,1%, por nga ana tjetër të ardhurat nga TVSH, që është treguesi kryesor i konsumit të popullatës, parashikohen me rënie reale.

“Sikur të mos mjaftonin të gjithë këto, këtë vit nuk kemi as edhe një paketë të duhur fiskale. Politika fiskale është në shërbim të një koncesioni të vetëm, atë të fiskalizimit, i cili ka kosto të fshehura prej të paktën 500 euro në vit për 120 000 bizneset e vogla e të mesme”, tha Teliti. “I bindur se ky është buxheti i tij i fundit, Edi Rama e ka shndërruar këtë në buxhetin KÇK- (Kap Ça t’Kapësh) nga taksat e rritura të shqiptarëve, nga mundi dhe djersa e tyre”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos