Buxheti 2020 është kritikuar ashpër nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për shkak të fondeve të pak që kanë alokuar Financat për këtë dikaster.
Sipas saj, drafti jo vetëm që nuk parashikon asnjë projekt të ri infrastrukturor, por me shkurtimin e shpenzimeve vihen në rrezik edhe projektet ekzistuese.
“Pavarësisht ndikimit që do të ketë në punën tonë ulja e ndjeshme e tavaneve në pothuajse çdo sektor, performanca e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë akoma më e mirë se në 2019”, deklaroi Balluku.

Shpronësimet nga ana tjetër kanë ngjallur debat në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese. Deputeti i mazhorancës, Ilir Beqaj, ka kërkuar që të përfshihen në listën fillestare të të gjithë projekteve infrastrukturore, për të shmangur vonesat.
Sipas tij, “projektet e ardhshme të infrastrukturës që do të kërkojnë të futen në listën unike të programit të investimeve publike, duhet që përtej fizibilitetit, projektit, zbatimit, kolaudimit, edhe shpronësimi të jetë një zë që nga fillimi. Të bëhen më pak projekte, por që të kemi sigurinë e mbështetjes financiare”.
Në buxhetin e vitit 2020, fondet e vëna në dispozicion për Ministrinë e Infrastrukturës vlerësohen 4.3 miliardë lekë, duke u tkurrur me 4.3% kundrejt 2019-ës. (A2 Televizion)