Bytyçi: Shqiptarët po i shërbejnë me zell politikave të zhbërjes së territorit të Kosovës

Nga A2 CNN
21 Gusht 2020, 09:44 | Kosova
Bytyçi: Shqiptarët po i shërbejnë me zell politikave

Profesori Enver Bytyçi, historian dhe njohës ekselent i gjeo-politikës e zhvillimeve në rajon, e sidomos në Kosovë, ishte i ftuar në studion e “Ditari” në A2 për të komentuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu Kosovë-Serbi është i vështirë, ka gjasa që të vazhdojë edhe më tej takimit në Uashington. Megjithatë, përpjekjet e Uashingtonit i shoh si element që ndihmon shumë për atë që është nisur që në vitin 2011, për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre vendeve”, tha Bytyçi.

“Për mua, nuk do të ketë shkëmbim territoresh. Nëse Serbia e shtron këtë ide në tavolinë, të jeni të bindur se ajo do të marrë territore dhe nuk do të japë. Prandaj them që është e rrezikshme situata, jemi ne shqiptarët që kemi tërhequr energjinë negative të Beogradit në dëm të çështjes së Kosovës. Nuk ka ndodhur kurrë që të ketë shqiptarë që t’i shërbejnë me kaq zell politikave të zhbërjes së territorit të shtetit të Kosovës siç po ndodh tani. Ajo që më bën pesimist ka të bëjë me faktin se ndërsa LDK deklarohet kundër shkëmbimit të territoreve, nënkryetari deklarohet për shkëmbim territoresh. Kjo është lojë shumë e fëlliqur”, theksoi Bytyçi.

Sipas tij, kryeministri Avdullah Hoti nuk do të ketë guximin të nënshkruajë një marrëveshje për shkëmbim territoresh.

“Nuk pres diçka të madhe nga zoti Avdullah Hoti, nuk pres guxim të jashtëzakonshëm që të argumentojë në mënyrë të pakontestueshme të drejtën e Kosovës, por as nuk pres të nënshkruajë marrëveshje për shkëmbim territoresh. Ndonëse Hoti përballet me presion, nuk besoj se do të guxojë ta marrë përsipër këtë përgjegjësi”, u shpreh Bytyçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos