Çdo gjë për të nënshtruar Mariupolin, sulmohet me armë termobarike nga rusët

Nga A2 CNN
21 Mars 2022, 19:36 | Aktualitet

Një video e publikuar në rrjetet sociale tregon momentin e tmerrshëm kur Rusia përdor bombat termobarike gjatë përpjekjes për të marrë kontrollin e Mariupolit, qytetit në jug të Ukrainës që ndodhet pranë kufirit me Rusinë.

Në videon e publikuar nga “Russia Today”, por edhe një llogari në Twitter të Republikës Popullore të Donetskut, shihet përdorimi i sistemit TOS-1 në drejtim të Mariupolit, i cili bombardohet vazhdimisht prej dy javësh. Situata atje paraqitet tragjike, me disa autoritete lokale që thonë se numri i viktimave mund të arrijë deri në 20 mijë.

Raketat termobarike janë të gjendje të shpërbëjnë trupin e njeriut, të shtypin organet si dhe të thithin të gjithë oksigjenin në zonën ku godasin dhe më pas shpërthejnë. Ky sistem është shumë efektiv ndaj trupave të vendosura në llogore dhe në goditjen e pozicioneve të fortifikuara dhe bunkerëve.

https://a2news.com/2022/03/03/cfare-jane-armet-termobarike-dhe-si-funksionojne/

E montuar në shasinë e një tanku T-72 dhe e pajisur me 24 raketa termobarike, TOS-1  mund t’i lëshojë ato brenda 12 sekondave.  Arma mund të jetë e pajisur me dy lloj raketash, zjarrvënëse si dhe me vakum të ashtuquajtura termobarike.

TOS-1 për herë të parë është përdorur nga trupat sovjetikë në luftën e Afganistanit dhe më pas në Çeçeni dhe në luftën civile në Siri. Së fundmi ajo u pa edhe në manovrat ushtarake të zhvilluara mes Bjellorusisë dhe Rusisë.

Shumë organizata për të drejtat e njeriut e kanë kundërshtuar përdorimin e kësaj arme për shkak të efektivitetit të saj vdekjeprurës, ndërkohë edhe vendet aleate e kanë shprehur shqetësimin që në nisje të luftës, se mos Putin do të përdorte këtë armë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/03/21/bombardime-ne-kiev-ukraina-refuzon-ultimatumin-e-moskes-mariupol-nuk-dorezohet/

A2 CNN Livestream

Latest Videos