
Epidemia e gripit të shpendëve nuk rrezikon shëndetin e njerëzve. Virusi H5N8 nuk shkakton sëmundje në popullatën e gjerë. Vetëm punonjësit e pularive apo të fermave, ku ka rënë virusi, mund të shfaqin shenja të lehta të gripit, por pa rrezik për jetën.
“Vetëm në një vend janë parë raste te punonjësit e stabilimentit të shpendëve dhe këto raste kanë qenë me forma të lehta”, thotë për A2 CNN, shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino.
Ajo tregon se çfarë është virusi H5N8, i cili po vret mijëra shpendë dhe ekspertët qetësojnë qytetarët në lidhje konsumimin e produkteve të shpendëve. “Është një virus që jep epidemi te shpendët, por te njerëzit ka një impakt fare të vogël”, thotë ajo.
Mishi i tyre dhe vezët, mund të vijojnë të konsumohen, pasi të jenë larë mirë dhe të jenë gatuar në temperatura të larta. Edhe mjekët veterinerë iu bëjnë thirrje të gjithë fermerëve të raportojnë për çdo situatë të mundshme që konstatojnë në shpendët e tyre.
Shpendët duhet të asgjësohen sipas protokolleve, ndërsa duhet kryer dezinfektimi i zonës. Pas konfirmimit të gripit të shpendëve në vendin tonë, autoritetet veterinare dhe ato të shëndetit publik, janë në gatishmëri për të izoluar rastet, si dhe për të parandaluar përhapjen e virusit H5N8. (A2 Televizion)