Ç'do të ndodhë me Metën nëse shkarkohet dhe kush humb në 6 mars? Rama përgjigjet nga SHBA

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2022, 11:59 | Politikë
Ç'do të ndodhë me Metën nëse shkarkohet dhe kush

Nga çështja e shkarkimit të presidentit Ilir Meta te zgjedhjet e 6 marsit dhe aleanca Meta-Berisha, ishin disa nga temat e aktualitet politik në vend që kryeministri Rama iu përgjigj nga SHBA-ja, gazetarëve shqiptarë.

Nuk ra në grackën e gazetarëve kur u pyet se çfarë do të ndodhë me presidentin Ilir Meta, nëse shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese, por Rama tha se është koha që të vendoset në vend nderi i nëpërkëmbur i kësaj gjykate.

“Janë analiza që nuk janë të vështira për t'u bërë, por duke qenë se është në gjykim nga Gjykata Kushtetuese nuk do të doja të hyja në këtë grackë që më ngrini me shumë buzëqeshje se është koha që t’i lihet fjala Gjykatës Kushtetuese dhe të vendoset në vend nderi i nëpërkëmbur i kushtetueses”.

Duke e cilësuar kreun demokrat si humbës serial, Rama tha se edhe në zgjedhjet e 6 marsit, ai do t’i qëndrojë besnik profilit të tij. “Lulzim Basha nuk fiton asgjë, asnjëherë, në asnjë rast dhe siç ka humbur, gjithmonë do t’i qëndrojë besnik profilit të vet që është të humbasë përsëri”.

Ndërsa aleancën mes presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, e shikon përditë e më shumë në veprim. “Aleanca mes Berishës dhe Metës është reale dhe në veprim dhe do të intensifikohet sa më shumë që të përkufizohet ngjashmëria e tyre në raport me planetin”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos