
Marrja, apo jo, në pyetje në Komisionin Hetimor për inceneratorët të personave të thërritur njëkohësisht edhe nga SPAK ka futur në debate anëtarët demokratë dhe socialistë të komisionit. Socialistët pretendojnë se duhet të mos merren dëshmitë e personave të cilët janë njëkohësisht të thërritur edhe nga SPAK, kërkesë që nuk pranohet nga demokratët.
“Ju keni problem që këtu dalin dokumente dhe letra. Ato do të bëhen publike në një mënyrë apo një tjetër. Pse kërkoni të marrim pushim kot? Pastaj ankoheni se po zgjasim punën kot. Ndërkohë që SPAK nuk ka sjellë asnjë ankesë. Besjon, ti që je gazetar, që unë e mora vesh dje, ke dalë më ekspert ligjor sesa prokurorët. SPAK të sjellë shkresë që po shkelen procedurat. Pse e keni ju problem? Këtu po dalin dita-ditës fakte dhe prova. Zonja ishte në gjendje optimale, është në diskrecionin e saj të japë përgjigje për pyetjet”, tha Belind Këlliçi.
“Askush nga ne nuk ka marrë përsipër të mbrojë askënd. Kushdo që ka marrë kurajën ta bëjë do të përballet me ligjin. Kemi një ngërç, nga i cili mendoj se mund të na nxjerrë një ekspert. A mund të biem dakord për dy emra ekspertësh që të na nxjerrin nga ky ngërç”.
“Ju e patë që faktet janë shumë të rënda dhe filluat që dje me këtë avaz”, tha Jorida Tabaku. “Në komisionin për 21 janarin kanë ardhur të gjithë, edhe kryetari i SHISH-it që po merrej në pyetje nga prokuroria. Nëse doni të bëheni palë me ata që duan të pengojnë punën, më vjen keq, unë do të qëndroj këtu për të dëgjuar dëshmitarët”. (A2 Televizion)