
Dy javë pas rrëzimit të Bordit të Ushqimeve, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim edhe kërkesën të tjetër të 29 deputetëve të Partisë Demokratike për të shfuqizuar Bordin e Karburanteve. Përfaqësuesi ligjor në seancë i grupimit të deputetëve të opozitës, Marash Logu argumentoi para trupës gjykuese se kushtet, argumentet dhe baza ligjore me të cilën u miratuan aktet normative me fuqinë e ligjit marsin e vitit të shkuar për ngritjen e Bordit, përveç se janë antikushtetuese, cenojnë konkurrencën në treg.
“Paraqitëm qartësisht se është në cenim të të drejtës kushtetuese. Është një cenim të thellë të mbrojtjes së interesave të qytetarëve, me çmimet abuzimeve për qytetarët. Një bord publik privat. I jashtëzakonshëm i pa parë në asnjë vendimmarrje të vendeve të tjera. Bëhen edhe pjesë e bordit të qeverisë. Çmimet e karburantit kanë qenë të jashtëzakonshme më të larta në 30 vite. Në dëm të interesave të qytetarëve. Ky projektligj duhet të shfuqizohet.”
Përfaqësuesit e Autoritetit të Konkurrencës, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë, argumentuan në seancë se ngritja e Bordit të Karburanteve erdhi si nevojë e diktuar nga lufta në Ukrainë dhe se në mungesë të tij, çmimet mund të ishin shumëfish më të shtrenjta.
Në mungesë të përfaqësuesve nga Kuvendi, anëtarët e “Kushtetueses” pas serive të pyetjeve kërkuan nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe institucioneve informacione shtesë për t’i shqyrtuar deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Më 22 shkurt, trupa e Gjykatës kushtetuese vlerësoi si të papajtueshëm me ligjet e vendit ngritjen e Bordit për Caktimin e Disa Kategori Ushqimesh duke vendosur shkrirjen e tij. Në përpjekje për të ndërtuar një paralele me vendimin e mëhershëm, përfaqësuesit e grupit të deputetëve demokratë deklaruan pritshmëri për vendimmarrje të ngjashme edhe për Bordin e Karburanteve të ngritur më 12 mars të vitit të shkuar. (A2 Televizion)