CEO-t në Shqipëri janë optimistë për rritjen ekonomike dhe të ardhurave të kompanive të tyre në vitin 2021

Nga A2 CNN
28 Prill 2021, 15:44 | Ekonomi
CEO-t në Shqipëri janë optimistë për rritjen ekonomike

● Anketa e PwC ku marrin pjesë më shumë se 5000 CEO në botë zbulon nivele rekord optimizmi

● 66% e CEO-ve në Shqipëri besojnë se ekonomia globale do të përmirësohet në vitin 2021

● Pandemia dhe krizat e tjera shëndetësore, ndryshimet në sjelljen e konsumatorit, si dhe mungesa e fuqisë punëtore, janë kthyer në kërcënime serioze për rritjen e shoqërive në Shqipëri

● Ndryshe nga vitet e shkuara, CEO-t në Shqipëri preferojnë të mbështeten kryesisht në bashkëpunime ose në krijimin e bizneseve dhe aleancave të reja strategjike, si mënyrë për të nxitur rritjen e të ardhurave të kompanive të tyre

● Kompanitë në Shqipëri priten të investojnë në transformimin digjital, përmirësimin e kostove, lidershipin dhe zhvillimin e talenteve, sigurinë kibernetike dhe privatësinë e të dhënave.

Të dhënat e këtij studimi u pasqyruan për herë të parë në bashkëpunim me A2 CNN, në emisionin A2 Business, të datës 21 prill 2021.

(Shikoni videon më poshtë)

https://youtu.be/V4kKJrXpqZM

Një vit pasi COVID-19 u shpall pandemi, CEO-t po shprehin nivele rekord optimizmi në rimëkëmbjen ekonomike globale, me 66% të drejtuesve në Shqipëri (përkundrejt 64% në Europën Lindore dhe Qendrore (“EQL”), dhe 76% në botë) që parashikojnë rritje ekonomike në vitin 2021.

Në të njëjtën linjë, 77% dhe 81% e drejtuesve në Shqipëri (përkundrejt 84% dhe 83% në EQL, si dhe 85% dhe 88% në botë), besojnë se të ardhurat e kompanive të tyre do të rriten në 12 dhe 36 muajt e ardhshëm respektivisht.

Këto shifra vijnë nga Anketa Vjetore Globale e 24-t e CEO-ve, e organizuar nga PwC, gjatë muajit janar dhe shkurt 2021. Në këtë anketim morën pjesë 5050 CEO nga 100 vende të botës, përfshirë Shqipërinë.

“Duket qartë që CEO-t në Shqipëri besojnë në përmirësimin e ekonomisë globale dhe rritjen e të ardhurave në kompanitë e tyre, pavarësisht se optimizmi në Shqipëri, si dhe në Europën Lindore dhe Qendrore në përgjithësi, është më i ulët se në çdo rajon tjetër. Pandemia i goditi shumë bizneset, megjithatë, duket se vaksinimi dhe rikthimi në normalitet kanë ringjallur optimizëm te CEO-t” - tha Loreta Peçi, Partnere Drejtuese e PwC Albania.

Rreziqet kryesore sipas drejtuesve të kompanive në Shqipëri

Nuk është për t’u habitur që pandemitë dhe krizat shëndetësore kryesojnë listën e kërcënimeve për rritjen ekonomike si në Shqipëri, ashtu si edhe në EQL e në botë. Mbi 60% e drejtuesve janë të shqetësuar për ndikimet negative të pandemisë dhe krizat shëndetësore në përgjithësi.

“Kjo është shumë interesante - shtoi Loreta - duke qenë se kur kjo pyetje është bërë në rang botëror gjashtë vite më parë, vetëm 9% e CEO-ve i konsideronin krizat shëndetësore si kërcënim për rritjen.”

Pas pandemisë, ndryshimi në sjelljen e konsumatorit është renditur si risku më i madh nga CEO-t në Shqipëri. Situata e 12 muajve të fundit ka nxjerrë në pah tendenca të reja në sjelljen e konsumatorit të cilët janë fokusuar në konsumin e produkteve apo shërbimeve më jetësore duke lënë në plan të dytë shpenzimin e produkteve të luksit apo të zbavitjes (siç janë udhëtimet, etj.). Këto ndryshime të diktuara nga situata, por edhe nga këndvështrimi i ndryshëm që drejtuesit kanë si pasojë e kësaj situate do të kenë një ndikim të konsiderueshëm në strategjinë dhe politikëbërjen e kompanive sipas industrive në të cilat ato operojnë.

Gjithashtu, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar është një tjetër shqetësim për CEO-t në Shqipëri (43%), ndonëse ky risk perceptohet në një nivel më të ulët se në botë (49% në botë, dhe 51% në EQL). “Puna në distancë dhe lehtësirat për të punuar jashtë Shqipërisë kanë rritur mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Megjithatë, më vjen mirë të shoh që 62% e drejtuesve në Shqipëri po planifikojnë të investojnë në lidershipin dhe zhvillimin e talenteve të reja, dhe po reflektojnë duke u fokusuar ndër të tjera në shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve të tyre (40%) apo në rritjen produktivitetit të punonjësve përmes automatizimit të proceseve dhe teknologjisë (34%).” - shprehet Loreta.

CEO-t në Shqipëri po konsiderojnë bashkëpunime dhe aleanca të reja strategjike

Ndërsa një vit më parë, pjesa më e madhe e CEO-ve në Shqipëri besonin që rritja e kompanisë së tyre do të varej nga hyrja e produkteve dhe shërbimeve të reja, efikasiteti operacional apo rritja organike, këtë vit drejtuesit në Shqipëri e shohin rritjen e kompanive të tyre te bashkëpunimet me sipërmarrës apo biznese të sapokrijuara (start-up) , aleanca strategjike të reja, apo dhe në shitje të një segmenti të biznesit të tyre. Ky trend është i ndryshëm nga ai botëror ku rritja organike, hyrja e një produkti të ri dhe efikasiteti operacional, vazhdon të mbetet fokusi kryesor.

“Shohim që bizneset në Shqipëri kanë filluar ta kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimeve ndërmjet tyre. Këtë vit ata janë më të ndërgjegjshëm mbi faktin që “s’mund t’i bëjnë të gjitha vetë”; përkundrazi duhet të fokusohen në ç’ka bëjnë më mirë, dhe të bashkëpunojnë për ç’ka kanë nevojë” -  tha Loreta.

Planet për investimet e ardhshme

Si pasojë e pandemisë, 77% e CEO-ve në Shqipëri planifikojnë të investojnë në transformimin digjital, 75% në nisma për të përmirësuar kostot, 62% në lidershipin dhe zhvillimin e talenteve, dhe 57% në sigurinë kibernetike dhe privatësinë e të dhënave.

“Transformimi digjital është kthyer në investimin më të rëndësishëm jo vetëm të CEO-ve në botë (83%), por edhe të CEO-ve në Shqipëri, dhe lidhet ngushtë gjithashtu me nismat për përmirësimin e kostove, zhvillimin e lidershipit dhe talenteve. Nga ana tjetër, zhvillimet teknologjike bëhen preh edhe e sulmeve kibernetike, dhe pavarësisht se në krahasim me CEO-t në Europën Qendrore dhe Lindore (66%) dhe CEO-t në botë (72%), vetëm 57% e CEO-ve në Shqipëri planifikojnë të investojnë në këtë fushë, më vjen mirë të shoh që privatësia e të dhënave dhe sulmet kibernetike po marrin rëndësinë e duhur dhe nga CEO-t në Shqipëri” - deklaron në mbyllje Loreta Peçi.

Shikoni rezultatet tek https://www.pwc.com/al/en/events/24th_Annual_Global_CEO_Survey_Albania.

Në anketimin e PwC të zhvilluar gjatë muajit janar dhe shkurt 2021, kanë marrë pjesë 5050 CEO nga 100 vende të botës duke shënuar një rritje me 3501 më shumë krahasuar me numrin CEO-ve pjesëmarrës në vitin e kaluar.

Rreth PwC

PwC është një rrjet ndërkombëtar firmash me shtrirje në 155 vende të botës me mbi 284 000 punonjës të cilët janë të përkushtuar për të ofruar shërbime cilësore në fushën e auditimit, këshillimit financiar, fiskale dhe atë ligjore. Zbuloni më shumë duke vizituar në www.pwc.com.

PwC i referohet rrjetit të PwC dhe / ose një, ose më shumë firmave të saj anëtare, ku secila prej tyre është një njësi juridike më vete. Shikoni www.pwc.com/structure për detaje të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos