Certifikata e Covid-19, hyn zyrtarisht në fuqi në 27 vendet e BE

Nga A2 CNN
1 Korrik 2021, 13:12 | Bota
Certifikata e Covid-19, hyn zyrtarisht në fuqi në 27 vendet e BE

Certifikata e re digjitale e Covid-19, e cila synon të lehtësojë lëvizjen rreth bllokut mes pandemisë së koronavirusit, hyri zyrtarisht në fuqi në të 27 vendet anëtare nga 1 korriku.

Ajo do t’u mundësojë udhëtarëve të lëvizin më lirshëm, duke reduktuar procedurat apo duke shmangur karantinën. Por lancimi i saj, vjen mes frikës së përhapjes së variantit Delta, dhe shtetet ende të ndara për politikat e udhëtimit, po impementojnë rregullat e veta.

Industria ajrore ka paralajmëruar për kaos në aeroporte gjatë sezonit të verës, nëse nuk do të ketë koordinim më të mirë.

“Verifikimi i certifikatave do të minojë udhëtimin e qetë të pasagjerëve të BE-së. Ndërsa trafiku ajror do të rritet në javët në vazhdim, rreziku i kaosit në aeroporte është real. Kontrollet e dyfishta dhe mungesa e mjeteteve të verifikimit do të shkaktojë radhë të panevojshme”, shprehen përfaqësues të kompanive ajrore në Europë.

Dokumenti, i disponueshëm në formë digjitale dhe të printuar, do të përfshijë informacione për vaksinimin, testimin apo shërimin nga sëmundja. Do të pranohen si testet PCR, ashtu edhe ato të shpejta.

Disa vende, të tilla si Greqia dhe Gjermania kanë nisur ta përdorin që në qershor. Shtetet anëtare janë të detyruara të pranojnë vaksina të miratuara nga EMA, ato të Pfizer/Biontech, Moderna, Astra Zeneza dhe Johnson&Johnson.

Gjithashu, mund të lejojnë qytetarët të cilët kanë marrë vaksina të autorizuara në disa vende të BE, të tilla si rusja Sputnik V, apo vaksina të miratuara nga OBSH, si kinezja Sinovac që po përdoret gjerësisht edhe në Shqipëri. BE është gjithashtu në bisedime me shtete të tjera, si Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA, për njohjen reciproke të certifikatave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos