
Gjenden eshtrat e 182 personave të tjerë pranë mjediseve të një ish-shkollë rezidenciale në British Columbia. Autoritetet thonë se është herët të thuhet nëse eshtrat u përkisnin ish-nxënesve të shkollës.
Megjithatë, ky zbulim horror vjen pasi kombi indigjen gjeti 751 varre të pashënuara në oborrin e një ish-shkolle rezidenciale në Sëskatçeuan. Shumica prej eshtrave u përkasin fëmijëve indigjenë.
Zbulimet horror kanë tronditur Kanadanë dhe kanë nxitur zemërim kombëtar, si dhe thirrje për të anuluar festën e 1 korrikut në Ditën e Kanadasë.
Udhëheqësit indigjenë kanë thënë se ata presin që më shumë varre do të gjenden ndërsa hetimet vazhdojnë.
Kujtojmë se një hetim i thelluar u krye në vitin 2015 mbi “gjenocidin kulturor” në Kanada. Raporti dokumentoi abuzime të tmerrshme fizike, përdhunime, kequshqyerje dhe mizori të tjera ndaj më shumë se 150 mijë fëmijëve që ndoqën këto shkolla, të drejtuara kryesisht nga kisha e krishterë nga vitet 1840 deri në vitet 1990. (A2 Televizion)