
Edi Rama iu drejtua pasditen e sotme shqiptarëve me një mesazh lidhur me votimin pro të socialistëve në Kuvend, për t’i hapur rrugën SPAK që të arrestojë Arben Ahmetajn.
Në fjalën e tij, kryeministri ripërsëriti qëndrimin se përgjegjësia për ata që tundohen nga pasurimi i paligjshëm duke punuar në shtet, është personale.
Referuar dosjes hetimore që nxjerr para drejtësisë ish-zv/kryeministrin, Rama zgjodhi të përçonte një mesazh të fortë për të gjithë në radhët e Partisë Socialiste.
Sipas tij, për të gjithë ata që mund të tundohen për të punuar njëkohësisht për shtetin dhe xhepin, kryeministri dhe forca e tyre politike nuk do të mbajnë asnjëherë përgjegjësi.
“Fatet e bashkudhëtareve në këtë rrugë nuk janë njësoj, për rezistencën e tundimit ndaj pasurimit të paligjshëm. Në fund të gjithë bëjmë zgjedhjet tona, dhe zgjedhja ime nuk ndryshon dot në asnjë mënyrë dhe asnjë rast. Ndaj po e përsëris edhe njëherë sot për të gjithë familjen tonë politike, që e kam stërthënë në të gjitha mbledhjet se kush e ngatërron rrugën e përbashkët, në një rrugë ku bën dy punë edhe për shtetin edhe për xhepin, merr një përgjegjësi që nuk e ndan dot as me mua, as me ne - por e mban vetë - qoftë para pasqyrës ose qoftë para derës së drejtësisë. Unë nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të lëshuar, kur ai lëshon veten nga rruga e përbashkët”, deklaroi Rama. (A2 Televizion)