Çështja e iranianëve diskutohet në senat, O’Brien: Do të ndihmojmë Ballkanin të rimëkëmbet pas luftës

Nga A2 CNN
27 Korrik 2023, 15:56 | Bota
Çështja e iranianëve diskutohet në senat, O’Brien:

James O’Brien, diplomati me përvojë i emëruar në postin e Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë paralajmëroi se pasojat e vuajtjeve që po shkakton Rusia në Ukrainë do të ndjehen për breza me radhë,  por siguroi se SHBA dhe Perëndimi do të mbështesin rimëkëmbjen jo vetëm të Ukrainës, por edhe rajonit të trazuar nga luftërat e Ballkanit Perëndimor.

O’Brian, i cili ka qenë i dërguar presidencial për Ballkanin në vitet ’90 gjatë konflikteve në rajon, foli gjatë një seancë me pyetje-përgjigje të Komisionit të Senatit të Marrëdhënieve me Jashtë i cili do të vendosë për marrjen e detyrës nga ana e tij, para se të votojë i gjithë Senati.

“Ajo që ka shkaktuar Rusia në Ukrainë do të mbetet me ne për breza të tërë. E njëjta gjë vlen për njerëzit që u kanë mbijetuar pasojave të konflikteve nga Ballkani Perëndimor në vitet 1990, ku unë i shërbeva vendit me krenari, e deri në Kaukazet jugore. Ne kemi modele se si mund të integrojmë ekonomi si ajo e Ukrainës në ekonomi më të pasura dhe të mbështesim njerëzit e atij rajoni. E njëjta gjë është e mundur për njerëzit e Kaukazeve Jugore përreth Detit të Zi e deri në Ballkanin Perëndimor, nëse veprojmë siç duhet në një ose dy vitet e ardhshme”.

Mes pyetjeve të tjera, Senatori demokrat Bob Menendez ngriti çështjen e kontrollit të policisë së Shqipërisë në kampin Ashraf 3 në Manzë ku strehohen anëtarët e organizatës Muxhahedinët e popullit Iranian, (MEK). Ai  përmendi vdekjen e njërit prej anëtarëve të kampit megjithëse pranoi që ka variante të ndryshme për rrjedhën e ngjarjeve. Duke vlerësuar Shqipërinë për strehimin e tyre, Menendez tha se kishin nevojë për garanci të vazhdueshme të sigurisë dhe e pyeti O’Brien nëse mund të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të banorëve të kampit.

“Unë bashkohem me ju në vlerësimin e Shqipërisë, e cila është bërë një vend shumë i rëndësishëm strehimi për një numër njerëzish që kërkojnë azil. Do ta shqyrtoj këtë incident”.

Nëse konfirmohet, zoti O’Brien do të zëvendësojë ish-ndihmës Sekretaren e Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Karen Donfried e cila dha dorëheqjen nga detyra në mars. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos