Kur Vladimir Putin lëkundi paqen dhe stabilitetin në Evropë, duke nxitur luftën kundër një demokracie prej 44 milionë banorësh, justifikimi i tij ishte se Ukraina moderne, me prirje perëndimore ishte një kërcënim i vazhdueshëm dhe Rusia nuk mund të ndihej e sigurt, të zhvillohej apo edhe të ekzistonte më tej. Por pas disa javësh me bombardime, mijëra vdekje dhe një eksod me miliona refugjatë, pyetja mbetet: Cili është qëllimi i tij i luftës dhe a ka rrugëdalje?
Çfarë dëshiron Putini?
Qëllimet që udhëheqësi rus vendosi në fillimin e pushtimit të Ukrainës, duket se janë zbutur gjatë ecurisë së një lufte që ai hamendësoi se do të fitohej me lehtësi. Putin vazhdon të mos pranojë se sulmi në Ukrainë është një pushtim apo një luftë, por një "operacioni ushtarak special". Për të, ky është një moment kyç në historinë ruse.
“E ardhmja e Rusisë dhe statusi i saj i ardhshëm në botë, janë në rrezik.”
Shefi i Inteligjencës së Jashtme, Sergei Naryshkin.
Synimi fillestar i liderit rus, ishte të rrëzonte qeverinë ukrainase, duke i dhënë fund dëshirës dhe përpjekjeve që Ukraina të bashkohet me NATO-n. Putin i tha popullit rus se qëllimi i tij ishte "çmilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës", për të mbrojtur njerëzit që i nënshtroheshin asaj që ai e quajti "tetë vjet poshtërim dhe gjenocid nga qeveria e Ukrainës". "Nuk është plani ynë për të pushtuar territorin ukrainas. Ne nuk synojmë t'i imponojmë askujt asgjë me forcë", këmbënguli ai. Mirëpo deri tani, Rusia ka ka shfaqur forcë brutale në dhjetëra qytete, ku bombardimet vazhdojnë. Nga raportet e fundit, pas bisedimeve për paqe, Rusia duket se nuk po kërkon më të rrëzojë qeverinë dhe në vend të kësaj, po synon një Ukrainë neutrale.

Pse Putini dëshiron një Ukrainë neutrale?
Që kur Ukraina shpalli pavarësinë në vitin 1991, me rënien e Bashkimit Sovjetik, ajo gradualisht ka kërkuar të afrohet më shumë drejt Perëndimit – qoftë me dëshirën për të qenë pjesë e BE-së dhe NATO-s. Udhëheqësi rus, ka synuar gjithmonë ta ndryshojë këtë. Për të, rënia e Bashkimit Sovjetik dhe përpjekje të tilla kanë çuar në "shpërbërjen e Rusisë historike".
Putin është shprehur vazhdimisht se rusët dhe ukrainasit janë një popull. "Ukraina nuk ka pasur kurrë një traditë të shtetësisë së vërtetë", ka thënë ai, duke mohuar Ukrainën dhe historinë e saj. Në vitin 2013, Putin i bëri presion udhëheqësit prorus të Ukrainës, Viktor Janukoviç, që të mos nënshkruante një marrëveshje me Bashkimin Evropian, duke nxitur protesta që përfundimisht rrëzuan qeverinë e tij në shkurt të 2014-s.

Rusia u hakmor ndaj këtyre lëvizjeve, duke pushtuar rajonin jugor të Krimesë dhe duke nxitur një rebelim në lindje, mbështetur nga separatistët që kanë luftuar forcat ukrainase në një luftë tetëvjeçare, e cila ka marrë 14 000 jetë njerëzish. Në vitin 2015, në Marrëveshjen e Paqes së Minskut, u vendos një armëpushim, por në fakt nuk u zbatua kurrë.
Pak para sulmit më 24 shkurt, Presidenti Putin prishi marrëveshjen e paqes dhe njohu dy shtete të mbështetura nga Rusia, si të pavarura nga Ukraina. Ndërsa dërgonte trupat, ai akuzoi NATO-n se kërcënonte "të ardhmen historike të Rusisë si komb", si dhe pretendonte pa baza se vendet e NATO-s donin të sillnin luftë në Krime.
A ka rrugëdalje nga kjo luftë?
Këshilltari i Presidentit ukrainas, Mykhailo Podolyak, beson se armëpushimi mund të vendoset në ditët në vijim, pasi forcat ruse janë të bllokuara në pozicionet e tyre aktuale. Të dyja palët kanë folur pozitivisht për përparimin në negociata dhe Podolyak thotë se presidenti rus i ka zbutur kërkesat e tij. Në fillim të luftës, udhëheqësi rus donte që Ukraina të njihte Krimenë si pjesë të Rusisë, si dhe të njihte pavarësinë e shteteve të mbështetura nga Rusia në Luhansk dhe Donetsk. Ukraina gjithashtu, sipas tij, do të duhet të ndryshojë kushtetutën e saj për të garantuar se nuk do të anëtarësohet në NATO dhe në BE.
Statusi i ardhshëm i Krimesë dhe Luhanskit e Donetsk është ende larg zgjidhjes, por nëse të dyja palët bien dakord ta trajtojnë këtë çështje në një datë të mëvonshme, mund të gjendet një zgjidhje e përbashkët. Rusia duket sikur ka pranuar se nuk mund ta rrëzojë udhëheqjen e Ukrainës dhe ta zëvendësojë atë me një qeveri kukull, si në Bjellorusi. Presidenti Volodymyr Zelensky u shpreh në fillim të luftës, se nuk kishte ndërmend të largohej nga lufta ndonëse ishte në objektivin e rusëve.
"Sipas formacioneve tona, unë jam objektivi i tyre numër 1, familja ime është objektivi numër 2. Bashkë me të tjerët, unë po qëndroj në selinë e qeverisë."
Volodymyr Zelensky

Megjithatë, Rusia tanimë po shqyrton një Ukrainë "neutrale, të çmilitarizuar" me ushtrinë dhe marinën e saj, por duke ndjekur modelin e Austrisë dhe Suedisë, të dyja anëtarë të BE-së. Momentalisht, me të gjitha zhvillimet që po merr lufta dhe bisedimet e vazhdueshme mes palësh, jo të gjithë janë të bindur se Rusia po negocion me mirëbesim. Ministri i Jashtëm i Francës thotë se Moska duhet të shpallë fillimisht një armëpushim, sepse nuk mund të zhvillohen bisedime "me armë në kokë".
Cilat janë kërkesat e Ukrainës?
“Kërkesat e Ukrainës janë të qarta: Armëpushimi dhe tërheqje e trupave ruse, por edhe garancia ligjore që Ukrainës do t'i sigurohet mbrojtje nga një grup vendesh aleate për të parandaluar sulmet. Ne jemi duke punuar për dokumente që presidentët do të jenë në gjendje t'i diskutojnë më tej dhe t'i nënshkruajnë. Natyrisht, kjo do të ndodhë së shpejti, sepse është mënyra e vetme për t'i dhënë fund kësaj lufte.”
Këshilltari i Presidentit ukrainas, Mykhailo Podolyak
Ukraina gjithashtu ka zbutur qëndrimin e saj që nga pushtimi i Rusisë. Presidenti Zelensky u shpreh se ukrainasit tani e kanë kuptuar që NATO nuk do t'i pranojë ata si anëtarë.
"Ukraina nuk është një anëtare e NATO-s. Ne e kuptojmë këtë. Për vite me radhë kemi dëgjuar se dyert janë të hapura, por gjithashtu kemi dëgjuar se nuk mund të bashkohemi. Kjo është e vërteta dhe ne duhet ta njohim atë. Më vjen mirë që njerëzit tanë kanë filluar ta kuptojnë këtë dhe të mbështeten tek vetja dhe partnerët tanë që na ndihmojnë."
Volodymyr Zelensky

A do të arrijë Putin një marrëveshje me NATO-n?
Gjatë gjithë kësaj kohe, presidenti rus ka dyfishuar urrejtjen e tij për Perëndimin dhe për NATO-n. Ai mund të jetë duke menduar për një kompromis me Ukrainën, por për të Perëndimi ka vetëm një qëllim - të përçajë shoqërinë në Rusi dhe përfundimisht ta shkatërrojë atë. Përpara luftës, ai kërkoi që NATO-ja ta kthejë kohën pas në vitin 1997 dhe të ndryshojë zgjerimin e saj drejt lindjes, duke hequr forcat dhe infrastrukturën ushtarake, si dhe duke mos vendosur "armë goditëse pranë kufijve të Rusisë". Kjo do të thotë Evropa Qendrore, Evropa Lindore dhe Baltiku. Në sytë e Presidentit Putin, Perëndimi premtoi në vitin 1990 se NATO-ja nuk do të zgjerohej "asnjë centimetër në lindje", por gjithsesi e bëri këtë.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, beson se presidenti i Rusisë "dëshiron të marrë në kontroll Evropën sipas qasjes së tij”. Si Scholz ashtu edhe Emmanuel Macron, janë shprehur se me shumë gjasa veprimet e Putinit po e çojnë kontinentin në një pikë kthese në historinë e tij. Përpara luftës, Rusia kërkoi që të gjitha armët bërthamore amerikane, të mos vendoseshin përtej territoreve të tyre kombëtare. Tatiana Stanovaya, studiuese në Qendrën e Moskës Carnegie, i frikësohet një Lufte të Ftohtë: "Kam ndjesinë se ne duhet të përgatitemi për një ultimatum të ri ndaj Perëndimit, i cili do të jetë më i militarizuar dhe agresiv sesa mund ta imagjinonim."
Pasojat e para të luftës për Rusinë
Presidenti Putin, para nisjes së pushtimit, me siguri e dinte se anëtarët e NATO-s nuk do të shkelnin në Ukrainë, por nuk mund ta merrte me mend shkallën e sanksioneve që perëndimi do të vendoste, për të dëmtuar ekonominë e Rusisë.
BE-ja, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Kanadaja vendosën një sërë masash në Rusi menjëherë pas sulmit në Ukrainë:
- Bankës qendrore të Rusisë i janë ngrirë asetet dhe bankat kryesore janë nxjerrë jashtë nga sistemi SWIFT.
- SHBA-ja ka ndaluar importet e naftës dhe gazit rus; BE-ja synon të shkurtojë importet e gazit me dy të tretat brenda një viti; dhe Britania e Madhe synon të heqë dorë nga nafta ruse, deri në fund të vitit 2022
- Gjermania ka ndërprerë miratimin për gazsjellësin rus Nord Stream 2, një investim i madh si nga Rusia ashtu edhe nga kompanitë evropiane.
- Linjat ajrore ruse janë ndaluar nga hapësira ajrore mbi BE, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada.
- Sanksione personale janë vendosur edhe ndaj Presidentit Putin, Ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, dhe shumë individëve të tjerë

Asnjë marrëveshje paqeje me Ukrainën nuk do t'i japë fund këtyre sanksioneve dhe Vladimir Putin mund të jetë i vetëdijshëm për këtë. Në vend të kësaj, ai është kthyer kundër rusëve që e kanë kundërshtuar luftën. Pothuajse 15 000 protestues kundër luftës, janë burgosur dhe pothuajse të gjitha mediat e pavarura, siç ka raportuar dhe më parë A2 CNN, janë mbyllur ose censuruar. Nuk ka mbetur asnjë opozitë e vërtetë politike, pasi ata ose janë larguar nga vendi, ose në rastin e liderit të opozitës Alexei Navalny, janë burgosur. “Populli rus gjithmonë do të jetë në gjendje të dallojë patriotët e vërtetë nga llumrat dhe tradhtarët”, thotë presidenti rus.
(A2 Televizion)