
PE diskuton sot për presidencën e BE, pandeminë dhe vaksinën
Në Parlamentin Europian diskutohet sot mbi përparësitë e Portugalisë në drejtimin e unionit gjatë presidencës së saj 6-mujore, shpërndarja e vaksinave kundër Covid në vendet anëtare dhe me gjerë. Do të votohet gjithashtu për planin e masave ekonomike për ekonomitë qarkulluese të bllokut si dhe situatën me emigrantët në ishujt grekë. Në fund të ditës, presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, ka organizuar një pritje në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Pandemia koronavirius, 100 milionë të infektuar në mbarë botën
Rastet me koronavirus në rang global e kaluan pragun e 100 milionë të prekurve. Sipas statistikave të Institutit të Johns Hopkins, për momentin, numërohen 100 270 535 të prekur që prej fillimit të epidemisë. Brenda dy muajve, virusi ka dyfishuar numrin pasi kufiri i 50 milionë të prekurve u regjistrua, më 8 nëntor. Në këtë situatë, BE-së i vjen edhe përgjigjja nga kompania AstraZeneca, në lidhje me vonesat.
Britani e Madhe, 100 mijë viktima nga koronavirusi
Në Britani ndërkohë u regjistruan më shumë se 100 mijë të vdekur. Kryeministri, Boris Johnson, shprehu ngushëllimet e tij ndaj çdokujt që ka humbur familjarë e të afërm. “Është një dhimbje që nuk të jep shumë mundësi të shprehesh ngushëllimet ndaj atyre që kanë humbur dikë, në shumicën e rasteve pa mundur madje t’i thonë edhe lamtumirë”, tha kryeministri britanik që e cilësoi pandeminë si krizën më të madhe që ka kaluar vendi që prej Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti Biden prezanton sot planin për klimën
Presidenti amerikan, Joe Biden, pritet të njoftojë një plan të gjerë masash për të parandaluar ndryshimet klimatike. Sipas asaj që raporton New York Times, presidenti ka për synim ta ngrejë klimën në prioritet të politikës vendase dhe të krijojë një Task Forcë për të kontribuar në planin e masave që reduktojnë emetimin e gazrave.
Nuk ndalen protestat në Holandë kundër masave shtrënguese
Në Holandë, nuk ndalen protestat që lidhen me planin e masave të qeverisë dhe më tepër me shtetrrethimin e natës. Policia doli në rrugë në një tentativë force për të parandaluar dhunën që për të katërtën natë radhazi, po trondit qetësinë dhe rendin. Holandezët nuk e pranojnë kurrsesi të trajtohen pa liri në këtë situatë dhe duan të vendosin vetë për sigurinë e tyre.
Forumi i Davosit, pritet fjala e presidentit rus Putin
Presidenti rus, Vladimir Putin, i drejtohet sot Forumit Ekonomik të Davosit që po zhvillon online ditën e dytë të takimeve ndër liderët botërorë. Por, prania e tij pritet të përballet me qëndrimin kritik të vendeve perëndimore, të cilat po kërkojnë vendosjen e sanksioneve nëse Kremlini nuk liron kreun e opozitës ruse, Alexei Navalny, dhe të shoqen, plus edhe gazetarë e protestues që u arrestuan në marshimet që pasuan. Putin nuk merr pjesë në këtë samit që prej vitit 2009 dhe prania e tij në një moment kritik si ky i tanishmi mbetet me interes.
“Apple” bën publik bilancin e shitjeve
Kompania Apple bën sot prezantimin e bilanceve të shitjeve përgjatë muajit dhjetor. Të gjithë sytë në Wall Street nuk kanë asnjë enigmë për sa i takon rritjes ekonomike të kompanisë apo nivelit të lartë të shitjeve duke pasur parasysh se në fundvit kompania prezantoi Iphone 12 dhe laptopin e ri Macbook, i cili ka të inkorporuar për të parën herë një procesor të prodhuar nga vetë Apple. Pyetja që shtrojnë analistët ka të bëjë me shifrën e saktë të rritjes së saj. Përgjatë konferencës së sotme, kompania pritet të japë edhe një material të hollësishëm për të gjithë 3-mujorin e katërt të vitit që lamë pas.
Kartoni i kuq me Udineze, 2 ndeshje pezullim për Conte
2 ndeshje pezullim dhe gjobë prej 20 mijë eurosh. Ky është ndëshkimi për Antonio Conte, trajnerin e Inter që do ta shlyejë dënimin vetëm në ndeshjet e kampionatit. Në sfidën ndaj Udinese, ndaj të cilëve Inter nuk arriti të fitojë, Conte pati pakënaqësi për gjykimin dhe nervozizmi kundrejt arbitrit kryesor, çoi në marrjen e kartonit të kuq. Për këtë arsye, vjen dhe dënimi për numrin një të stolit zikaltër, që do të kthehet në pankinë më 14 shkurt, në supersfidën kundër Lazios.
Manchester City merr kryesimin e Premier League
Kampionati anglez i futbollit ka tashmë një kryesues të ri. Manchester City rikthehet fuqishëm në garën për titullin kampion duke i marrë vendin e parë pikërisht rivalëve të United. Skuadra e Pep Guardiolës është e pandalshme ndërsa mundi edhe West Bromwiç me goleadë, 5-0 në atë që është vazhdimi i një ecurie prej 11 fitoresh me radhë në Premier League. Tabela e golashënuesve të kësaj sfide kishte emra të ndryshëm nga Ikai Gundogan, mbrojtësi Canselo, Rihad Mahrez e Rahem Sterling. 41 pikë për qytetarët në klasifikim, ndërsa janë ata tashmë skuadra për t’u mundur. Arsenal po kalon një formë të mirë gjithashtu dhe është ngjitur ndjeshëm në klasifikim. Topçinjtë e Londrës fituan 3-1 përballë Southampton e tani shohin vendin 8 dhe zonën e Evropës më pranë. (A2 Televizion)