
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njoftoi në “Absolut 4” se së shpejti do të kemi lajme pozitive të shpëtimit nga vuajtjet shqiptarët që ndodhen në kampet e Sirisë. I pyetur në lidhje me vizitën në Siri, ministri theksoi se kjo është një përpjekje e vazhdueshme për të riatdhesuar shqiptarët e mbetur në ato kampe. “E kam thënë publikisht qëllimin e vizitës dhe s’kam gjë më tepër që do të thotë nuk është një përpjekje, por është e vazhdueshme, ashtu si paraardhësi im, nuk e kam ndërprerë punën për të riatdhesuar çdo shqiptar të mbetur në kampet e Sirisë. Vizita ime ishte një nga hapat që po ndërmarrim për këtë qëllim. Do të kemi në një kohë të shpejtë edhe lajme pozitive në lidhje me shpëtimin nga vuajtjet shqiptarët që kanë mbetur në ato kampe”. Sipas tij, situata në Siri sa vjen edhe ndërlikohet për shkak edhe të problemeve në atë rajon, por premtoi se qeveria shqiptare do të bëjë të pamundurën për shqiptarët e mbetur atje.
Bie numri i rasteve të reja me koronavirus
Për herë të parë në këto javë, përgjatë 24 orëve të fundit përhapja e Covid-19 ka pësuar ulje, ndonëse testimet kanë ruajtur të njëjtin nivel. Gjithashtu edhe numri i vdekjeve ka qenë më i ulët. Në raportimin e përditshëm të Ministrisë së Shëndetësisë njoftohet se nga 3197 testime, kanë rezultuar pozitivë 629 qytetarë. Ndërkaq, mësohet se kanë humbur jetën 13 persona të moshave nga 57 deri në 85 vjeç. Në 24 orët e fundit janë shëruar 897 qytetarë, ndërsa në spitalet Covid po trajtohen 661 pacientë, 43 në terapi intensive, nga të cilët 14 të intubuar. Nga nisja e epidemisë, janë kryer pothuajse gjysmë milionë testime, nga të cilat pozitivë kanë rezultuar mbi 114 mijë qytetarë. Në total kanë humbur jetën 1969 persona, ndërsa 35 456 qytetarë vijojnë të jenë aktivë me Covid-19.
Sistemi shëndetësor, në prag kolapsi në Brazil
Sistemi shëndetësor në pjesën më të madhe të qyteteve braziliane është në prag kolapsi për shkak të numrit të lartë të pacientëve pozitivë me koronavirus. Ky theksohet në një raport të Institutit Kombëtar të Shëndetit në Brazil, Fiocruz. Instituti me bazë në Rio De Janeiro thotë se më shumë se 80% e shtretërve në shërbimin intensiv, në rang kombëtar, është i ezauruar, në kryeqytet dhe 25 qytete të tjera, nga 27 në total. Vetëm të martën në mbarë vendin u shënuan 1972 vdekje nga Covid-19, duke vendosur një rekord të ri ditor. Që prej fillimit të pandemisë, në Brazil janë regjistruar më shumë se 266 mijë vdekje dhe 11 milionë raste pozitive.
Tjetër “luftë” Britani-BE
Një tjetër luftë ka nisur mes Britanisë dhe BE-së, pasi zyrtarët më të lartë të bllokut sugjeruan një ditë më parë se Britania e Madhe ka bllokuar krejt papritur eksportin e vaksinave. Charles Michel, presidenti i Këshillit Europian, tha se Britania ka vendosur të bllokojë eksportin e vaksinave, të cilat janë prodhuar me vajin e saj. Siç BBC shkruan, sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab, i ka shkruar Michel, duke i nënvijëzuar se akuzat e bëra në drejtim të Londrës zyrtare janë totalisht false. Por, përfaqësues të Bashkimit Europian, thonë se mes palëve do të ketë diskutime të mëtejshme për këtë çështje, ndërsa një koment për deklaratat e kreut të KE-së nuk ka pasur. Kjo është hera e dytë për 2021 që Londra dhe Brukseli zyrtar përplasen për çështjen e prodhimit dhe më pas shpërndarjes së vaksinave anti-covid. Liderët e bllokut janë nën presion të vazhdueshëm për mbërritjen në kontinent të sa më shumë vaksinave, duke mbetur pas Britanisë për furnizim, teksa kjo e fundit ka një popullsi prej 22.5 milionë banorësh, 1/3 e tyre e rritur dhe që tashmë e kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit.
Protesta në Athinë, plagoset një polic
Një oficer i policisë greke është lënduar seriozisht pas protestave të së martës në Athinë, që shumë shpejt degjeneruan në përplasje të forta, duke iu përgjigjur vetë dhunës policore. Protestat u nxitën pas një video të transmetuar gjerësisht në rrjetet sociale, por edhe televizion, ku një qytetar shfaqet i shtrirë në tokë, i rrahur gati për vdekje nga policia të dielën në mbrëmje. Kaq mjaftoi që më shumë se 5 mijë vetë të dalin në protestë në rrugët e Athinës, shumë prej tyre me pankarta në duar e me thirrjet: Larg policia nga lagjet tona! Policia tentoi të shpërndajë protestuesit me gaz lotsjellës, ndërsa këta të fundit u kundërpërgjigjën duke hedhur bomba Molotov dhe gurë ndaj tyre, ndërsa i vunë zjarrin edhe koshave të plehrave. Nga përplasjet, 3 policë mbetën të lënduar, ndërsa 10 qytetarë u arrestuan. Në një dalje përpara mediave, në reagim për protestat, kryeministri Mitsotakis tha se dhuna në Athinë duhet të marrë fund. Ai i bëri thirrje të rinjve grekë që të ndërtojnë dhe jo të shkatërrojnë vendin e tyre dhe se protestat e dhunshme nuk e çojnë vendin asgjëkundi. (A2 Televizion)