
Mblidhet sot Kuvendi, në rend dite disa akte normative të rëndësishme
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë rikthehen sot në sallë për votimin e një sërë aktesh normative. Si pikë e parë janë ndryshimet e fundit të bëra në buxhetin e vitit që lamë pas dhe që lidhen me fondin e caktuar për shpërblimet e pensionistëve për të kaluar më pas tek akti normativ për parandalimin e krimeve të rënda në territorin e vendit. Vijon rendi i ditës me shtyrjen e kontrollit teknik të automjeteve me një afat tremujor, sa i duhet shtetit për ta rimarrë shërbimin në dorë dhe të përgatisë infrastrukturën, akti normativ për bonusin e qerasë ndaj familjeve të lëna të pastreha nga tërmeti i vitit 2019 dhe përfundon me shpronësimin e pronarëve në tokat ku do të ndërtohet spitali i ri i Fierit.
Përgatitjet për zgjedhjet, Celibashi në konferencë
Organizimi i KQZ në zgjedhje dhe angazhimi i instancave që lidhen me to apo partnerëve të jashtëm do të jenë në qendër të konferencës për shtyp, njoftuar sot nga kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi. Dy ditë më parë teksa mori pjesë në procesin e trajnimit të uniformave blu për këtë proces, Celibashi kërkoi që të jenë të paanshëm dhe të drejtë. Partitë politike ndërkohë ende nuk kanë ndonjë listë paraprake të kandidatëve. Të gjitha kampet janë në diskutimet e fundit për përfshirjen në lista edhe të aleatëve.
Mospërputhje mes Britanisë dhe OBSH për variantin e ri të koronavirusit
Britania mbështet faktin se varianti i ri i koronavirusit është më i transmetueshëm dhe më vdekjeprurës, por në lidhje me këtë temë OBSH nuk bie ende dakord. Në lidhje me vdekshmërinë duhen më shumë të dhëna tha ajo nëpërmjet një deklarate. "Rezultatet britanike janë paraprake dhe duhen analiza të thelluara për të dalë në përfundime. Sipas shkencëtarëve, mungojnë të dhënat që konfirmojnë se ky variant është 30-40 për qind më shumë vdekjeprurës.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, Haradinaj nuk heq dorë
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur edhe për bashkimin me Shqipërinë. “Bashkimi me Shqipërinë nuk lidhet me marrëveshjen që duhet arritur me Serbinë. Kjo është siç ka ndodhur edhe me Ushtrinë, Trepçën apo vendimi për Pavarësinë. Bashkimi është vendim i brendshëm i Kosovës”, tha ai në “Debat Plus”. Haradinaj thotë se bashkimi me Shqipërinë lidhet me disa zhvillime tjera. “Nëse vazhdojnë të mbesin pengesat që na ka vendosur Serbia, por edhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare që lidhen me njohjet apo me anëtarësimin tonë në NATO, pasi për ne siguria është prioritet, nuk na mbetet gjë tjetër pos të shkojmë nga referendumi me Shqipërinë”. I pari i AAK-së thotë se kërkesa nga bashkimi me Shqipërinë dallon me ato që janë kërkuar nga e kaluara
Arrestimi i Navalny, sot përballja në gjykatë
Lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalni, del sot para gjykatës në Rusi për të apeluar burgosjen e tij, ndërkohë që opozita e organizuar nga aleati i tij i ngushtë Leonid Volkov, do mbledhë protestën e radhës. Javën e kaluar, gjykata caktoi masën arrest me burg për Navalnin, për shkelje të lirimit me kusht dhe çështje të tjera ligjore që kundërshtari historik i Putinit i cilëson të trilluara. Dhjetëra mijëra protestues u mblodhën në protesta të shtunën e kaluar që kërkonin lirimin e tij. Të njëjtit apel i janë bashkuar edhe SHBA-në dhe BE-në.
Ditëlindja e Kadares, aktivitete nga Akademia e Shkencave
Ismail Kadare bën sot 85 vjeç. Me këtë rast, Akademia e Shkencave organizon një veprimtari shkencore ku do të jepet njoftimi për rikandidimin e shkrimtarit për çmimin Nobel në Letërsi nga kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, dhe më pas do të çelet ekspozita fotografike me foto dhe dëshmi që lidhen me momente kyçe të jetës së shkrimtarit.
Juventus në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë
Juventusi kalon në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë duke fituar lehtësisht me rezultatin 4-0 kundër SPAL, ekipit të vetëm të kategorisë së dytë që kishte shmangur përballjet deri në këtë fazë. Edhe pse i duhej mrekullia dhe bëri disa pritje mjaft të mira, Etrit Berisha, portieri i Kombëtares shqiptare, u dorëzua në minutën e 16-të kur përballë, nga pika e bardhë, u pozicionua Alvaro Morata. Pjesa e parë mbaroi me rezultatin 2-0, me golat e spanjollit dhe Frabotas, mbrojtësit të talentuar që është nga alternativat kryesore të Pirlos për krahun e majtë të mbrojtjes. Në pjesën e dytë, Juve legjitimon me golin e realizuar nga talenti Dejan Kulusevski në minutën e 78-të, ndërkohë që në sekondat e fundit shënon Chiesa. Juventusi pret tashmë në gjysmëfinale rivalët e përjetshëm të Interit.
Sulmuesi i Kombëtares vijon të shënojë në Holandë
Armando Broja shënon golin e shtatë në 15 ndeshje të kampionatit holandez, por nuk arrin të shpëtojë Vitesse nga disfata 4-1 me modestët e Venlo. Sulmuesi kuqezi ka një mesatare të lartë realizuese, duke marrë parasysh që në disa prej 15 ndeshjeve është aktivizuar vetëm disa minuta në fushë. Sulmuesi 19-vjeçar, në pronësi të gjigantëve të Chelsea dhe në huazim në ekipin e Eredivizie, ka pasur dëmtime fizike dhe më pas pozitivitetin ndaj COVID-19, që e kanë stopuar në performancën e tij. Gjithsesi, Vitesse mbetet në vend të tretë në renditje, vetëm 3 pikë nga Ajaxi kryesues, dhe shanset për një rikthim të fuqishëm të tyre dhe sulmuesit shqiptar të lindur në afërsi të Londrës, nuk janë të pakta. (A2 Televizion)