
Deputetët e mazhorancës kritikuan punën e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit për vetting-un në polici. Ecuria tejet e ngadaltë e procesit bëri që deputeti socialist Sadi Vorpsi të kërkojë edhe ndryshim të ligjit.
Në 1 vit e dy muaj punë, vetting-u në polici ka prodhuar vetëm 32 vendime, ndërsa 7 subjekte të tjerë janë në proces. Këto shifra nuk i kënaqin deputetët e mazhorancës, të cilët kërkojnë zgjidhje të situatës: “Nuk mund të shkojë pafundësisht kjo punë. Me këto ritme, ju duhen 10 vjet për 250 subjekte. Besoj se duhen ndryshime në ligj për të zgjidhur këtë situatë”.
Edhe për kryetaren e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, Ana Kapaj, diçka e tillë është shqetësuse: “Unë e shikoj punën dhe nuk mund të them që komisionerët nuk punojnë. Të gjithë janë të shqetësuar për ngadalësinë e procesit”.
Kapaj tha se problem për ecurinë vijon të jenë vonesat si pasojë e procedurave për marrjen e informacionit me institucione si Agjensia Kombëtare e Kadastrës apo mungesa në staf.
Një tjetër problem që u evidentua në mbledhjen e nënkomisionit ishte dhe mungesa e një juristi të dedikuar për të ndjekur proceset e ankimeve të KJV-së në Gjykatën Administrative të Apelit si dhe mospagesa e psikologëve që asistojnë vetting-un në polici. (A2 Televizion)