Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
1 Prill 2021, 08:11 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Maturantët e 10 bashkive që e zhvillonin mësimin online kthehen sot në klasa pas vendimit të djeshëm të Komitetit Teknik të Eksperteve që e sugjeruan diçka të tillë. “Nga ana e shkollave dhe strukturave tona janë marrë të gjitha masat e nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor, shkruhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar.

KQZ vendos sot për fletët e votimit

KQZ vendos sot në mbledhjen e orës 10:00 për variantin përfundimtar të fletës së votimit për zgjedhjet e 25 prillit. Gjatë takimit të djeshëm të komisionit rregullator u propozua versioni me emrat e kandidatëve në të dhe jo me numrat.

Karta e naftës pa akcizë, fermerët do të pajisen duke filluar nga sot

Mbi 20 mijë fermerët që aplikuan në programin e naftës pa akcizë deri më 30 mars, duke filluar nga sot duhet t’i drejtohen agjencive të Ekstensionit Bujqësor ose agropikave për t’u pajisur me kartën e naftës falas. Pas këtij veprimi brenda 30 ditëve ajo printohet dhe çdokush ka afat që të tërheqë sasinë e konfirmuar deri më 30 nëntor.

Në Kosovë fillon sot procesi i dhurimit të gjakut për ata që kanë kaluar Covid-19

Në Kosovë fillon sot procesi i dhurimit të gjakut nga personat që e kanë kaluar Covid-19 me qëllim shpëtimin e më shumë jetëve të tjera nëpërmjet plazmës së tyre. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u bëri thirrje qytetarëve që e kanë kaluar sëmundjen të ndihmojnë me dhurimin e gjakut.

EMA: Vaksina AstraZeneca është efikase, por studimet vazhdojnë

Agjencia Evropiane e Barnave del në përfundimin se vaksina e AstraZeneca-s është efikase dhe studimet e deritanishme nuk kanë treguar ndonjë lidhje mes përdorimit të saj dhe mpiksjes se gjakut, por shton se studimet vazhdojnë.

Sllovenia ndalon hyrjen e personave nga vendet me rrezik të lartë të Covid-19

Shtimi i rasteve të të infektuarve me Covid 19 ka bërë që Sllovenia duke nisur nga sot të ndalojë hyrjen në vend të personave që vijnë nga vende të cilësuara me rrezik të lartë. Rastis që të  tilla të jenë të gjitha shtetet fqinje të saj.

Biden prezanton planin 2 trilionë dollarësh

"Do të krijojmë ekonominë më të fortë, më elastike dhe më novatore në botë". kjo ishte deklarata e mbrëmshme e presidentit amerikan, teksa prezantoi planin prej 2 trilionë dollarësh të administratës së tij për punësimin dhe infrastrukturën. Në projeksionin e tetë viteve të ardhshme parashikohen 32,000 kilometra rrugë, 10 ura me rëndësi ekonomike dhe 10 000 të vogla. Përmirësim i rrjetit të shpërndarjes së ujit të pijshëm, internet më i shpejtë dhe një rrjet elektrik më i mirë.

Reagon Trump: Plani i Biden, sulm i pashpirt i ëndrrës amerikane

“Plani i presidentit Joe Biden është një sulm i pashpirt i ëndrrës amerikane”. Ky ishte reagimi i menjëhershëm i ish-presidentit Donald Trump në lidhje me planin, sipas të cilit kjo do të nënkuptonte rritjen më të madhe të taksave në SHBA që do përkthehej në një fitore ekonomike për Kinën.

Navalny futet në greve urie në burg

Lideri i opozitës ruse Aleksei Navalny është futur në greve urie në ambientet e burgut. Lajmin e njoftuan avokatët e tij nëpërmjet rrjeteve sociale ku kërkojnë ndërhyrjen e të huajve pavarësisht se më herët BE dhe SHBA kanë kërkuar lirimin e tij.

Situatë e paqëndrueshme politike në Izrael

Vijon situata e paqëndrueshme politike në Izrael. Fituesi i zgjedhjeve të katërta parlamentare në dy vjet, Beniamin Netanyahu i bëri thirrje partive opozitare që të bëhen bashkë për një qeveri të bashkimit të udhëhequr nga partia e tij Likud për të shkuar përpara. "Kthehuni në bazë", u tha rivalëve të tij Netanyahu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos