
Politikanët nuk mund të ndalojnë rritjen e çmimeve të energjisë, por ata mund të përcaktojnë se kush do të mbajë barrën më të madhe të goditjes. Kështu bëri edhe qeveria shqiptare më 8 shtator, ditë në të cilën bashkë me prezantimin e paketës së dytë të rezistencës sociale njoftoi edhe shtrenjtimin me mbi 4 herë për sasinë e energjisë së konsumuar mbi fashën 800 kW.
Por teksa gjithçka dukej gati dhe fasha do të hynte në fuqi të nesërmen, nën argumentet e përmirësimit të situatës hidrike e uljes së konsumit, kryeministri Edi Rama njoftoi se fasha 800 kW nuk do të hynte në fuqi më 1 tetor.
Në hapat e qeverisë, me të njëjtat argumente, një javë më pas Enti Rregullator i Energjisë vendosi të shtyjë vendimin për të aplikuar një çmim prej 42 lekësh për konsumin mbi 800 kilovat.
Brenda tetorit do duhej të merrte sërish vendim për shtyrjen ose jo të aplikimit të fashës 800 kilovat, por në mbledhjen e së enjtes, Enti Rregullator vendosi vetëm që të rrëzojë kërkesën e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, për mos shtrenjtimin e konsumit të energjisë mbi 800 kW në muaj.
Aktualisht aplikimi i fashës 800 kilovat është rrethuar nga zhurmë e paqartësi. Pas interesimit të A2, ERE saktësoi se çmimi prej 42 lekësh për energjinë e konsumuar mbi fashën 800 kilovat mbetet në fuqi, ndërsa shpjegoi edhe mënyrën se si mund të pezullohet kjo vendimmarrje.
Furnizuesi i Shërbimit Universal ose asambleja e Korporatës Elektro-Energjetike Shqiptare duhet t’i paraqesin një kërkesë Entit Rregullator nëse ka ndryshim të çmimit të shitjes së energjisë nga KESH te FSHU. Më pas Enti Rregullator mbledh bordin, i cili me shumicë votash vendos.
Pra, kërkesa nuk vjen nga qeveria, por kompanitë publike, Enti Rregullator i Energjisë nuk mbështetet mbi vendime qeverie.
Nëse tarifimi me fasha do të aplikohet për muajin e ardhshëm, nga 10 mijë e 260 lejë të paguara për 900 kilovatë të harxhuara një vit më parë, shpenzimi për familjet do të rritet në 14 mijë e 160 lekë. Rrjedhimisht, sa më i lartë konsumi aq më shumë zgjerohet diferenca me një vit më parë e fryhet fatura e dritave. (A2 Televizion)