
Partia Demokratike deklaron se Komisioni i Venecias e ka dhënë një herë një interpretim për Vettingun. Bëhet fjalë për paragrafin 98 të raportit të ndërmjetëm të komisionit për demokraci përmes ligjit për reformën në drejtësi.
Aty flitet për dakordësinë e gjerë shqiptare mbi konstatimin se gjyqësori është jashtëzakonisht i korruptuar dhe kërkon ndërhyrje urgjente.
Por “Venecia” hidhte pikëpyetjen nëse ky konsensus i gjerë krijon bazën e mjaftueshme për t’i nënshtruar të gjithë gjykatësit, përfshirë dhe ata të ndershmit, në një proces rivlerësimi, pavarësisht rrethanave specifike të çdo gjykatësi individual?
Venecia ia la politikës në dorë të vendoste dhe tërhiqte vëmendjen për të mos harruar, se një zgjidhje kaq radikale do të ishte jo e arsyeshme në kushte normale, pasi krijon tension të jashtëzakonshëm brenda sistemit gjyqësor, destabilizon punën e tij, shton mosbesimin e publikut mbi këtë sistem, heq vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre të përditshme.
Venecia thoshte dhjetorin e 2015-es se si një masë mjaft e jashtëzakonshme, krijon riskun e kapjes së sistemit gjyqësor nga forca politike e cila kontrollon procesin. Sa vlen kjo për politikën do të presim për këtë dhjetor. (A2 Televizion)