
Tirana do të përballet në fazën e parë të kualifikuesve për sezonin e ardhshëm të Champions League me gjeorgjianët e Dinamo Tblisit.
Trajneri bardheblu Ebgo vlerëson kundërshtarin. “Të gjitha skuadrat që kanë dalë kampione këtë sezon janë ekipe shumë të forta. Do të luajmë në transfertë dhe jo në Tiranë, kështu që vështirësia rritet edhe më tepër”.
Trajneri kampion i Shqipërisë kujton se Tirana ka luajtur ndaj këtij ekipi edhe kur ai ishte portier i bardhebluve. “Ka kaluar shumë kohë, por përsëri janë një kundërshtar për t’u respektuar”, saktëson ai.
Sipas Egbo, Tblisi është i avantazhuar pasi është në aktivitet. “Kjo është një armë plus për ta. Fakti që ata janë në vendin e parë u jep gjithashtu besim nga ana psikologjike. Mirëpo, unë kam ndjesi shumë të veçantë pasi jemi kualifikuar një herë dhe mund ta bëjmë përsëri. Jemi në merkato për të marrë lojtarët që na nevojiten,” tha Egbo. (A2 Televizion)