Chelsea përfiton nga hapat e gabuar të Liverpool e City, shkëputet i vetëm në krye të Premier League

Nga A2 CNN
30 Tetor 2021, 18:11 | Futboll

Chelsea mundi 3-0 Newcastle në fushën e kësaj të fundit, duke siguruar fitoren e katërt radhazi në kampionat, dhe duke u shkëputur me 3 pikë nga vendi i dytë në krye të renditjes se Premier League.

Dy gola nga mbrojtësi i krahut James, në të 65’ dhe 77’, si dhe një penallti e kampionit të Europës Jorginho në të 81’, i dhanë londinezëve rezultatin pozitiv, që, i kombinuar me humbjen e Manchester City dhe barazimin e Liverpool, i jep epërsinë në garën për titullin kampion, edhe pse janë luajtur vetëm 10 takime.

City u mund 0-2 në fushën e tij nga Crystal Palace, me gola të Zaha 6’, Gallagher 88’. Kjo ishte humbja e dytë në kampionat për skuadrën e Pep Guardiola-s, që javën e ardhshme luan derbin me United.

Rezultat zhgënjyes edhe për Liverpool, që vinte pas triumfit historik në fushën e Manchester United javën e kaluar, ku fitoi 5-0. Pasi kaloi në epërsi të dy golave pas vetëm 24 minutash lojë, falë Henderson dhe Mane, u barazua nga Brighton me gola të Mwepu në 41’ dhe Lampetu në 66’, duke lënë dy pikë tepër të vlefshme ndaj një rivali modest. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos