
Analisti Afrim Krasniqi komentoi në A2 rikthimin, pjesërisht funksionale, të Gjykatës Kushtetuese, duke i vlerësuar si të sforcuar dy emërimet e fundit.
Ai theksoi se shumica e vendimeve të reformës në drejtësi janë marrë për shkak të presionit ndërkombëtar.
“Rikthimi pjesërisht funksional i Kushtetueses është një sukses dhe madje është një vendim më shumë politik, një zgjedhje politike sesa juridike. Nëse marrim dy emërimet e fundit, shkuam te numri 6, por praktika që u ndoq, është një vendim i sforcuar, i cili mund të justifikohet politikisht, por në aspektin kushtetues ishte një moment i një vlere të munguar, një rast tipik që tregon se shumica e vendimeve të rëndësishme, në reformën në drejtësi, nuk po merren për shkak të funksionimit të reformës në drejtësi, por për shkak të presionit ndërkombëtar. Edhe në këtë rast ne kemi pasur një investim të SHBA-së dhe BE-së, duke vendosur afate konkrete, deklarata që nuk janë diplomatike, por që në fund dha një rezultat”.
Më tej, ai tha se për të parë nëse Gjykata Kushtetuese është vërtetë kushtetuese do të duhet të presim vendimin e saj të parë. “Deri tani, nuk kemi ende një vendim, do të duhet ta testojmë në vendimin e parë, nëse Shqipëria ka fituar apo ka humbur një Gjykatë Kushtetuese funksionale”.
Për Afrim Krasniqin, shumica e vendimeve me konotacione politike do të jetë shumë e vështirë për të kaluar në Kushtetuese. “Për të marrë një vendim duhen 5 vota dhe nga 6 anëtarë që janë sot, është gati e pamundur për të pasur 5 vota, por nga ana tjetër janë një sërë vendimesh që janë më të rëndësishme, të cilët lidhen me sistemin kushtetues, me shkeljen e lirive dhe të drejtave kushtetuese, me problematikën e lirive dhe të drejtave të njeriut në periudhën e Covid-19 dhe me konflikte mes institucioneve. Për këtë, kërkohet jo vetëm votë, por formim juridik, formim juridik dhe aftësi për të lexuar dhe shkruar dokumente. Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e anëtarëve aktualë, në CV-në e tyre, nuk kanë ndonjë botim profesional për të na lënë të kuptojmë se kanë aftësi për dokumente të tilla. Madje, nëse ne krahasojmë gjykatën aktuale me ish-gjykatën e mëparshme, ata që u shkarkuan nga Vettingu, apo ajo para saj, cilësia e mëparshme ka qenë shumë më e mirë sesa sot. Por, ata që janë sot kanë kaluar filtrin e integritetit dhe të Vettingut dhe kjo është vlerë. Unë nuk pres që Gjykata Kushtetuese të ketë ndonjë vendimmarrje të rëndësishme përpara 25 prillit”, u shpreh Krasniqi. (A2 Televizion)