Edhe vetë Pep Guardiola nuk e beson atë që ndodhi në “Etihad” këtë të diel pasdite shkurti. Manchester City shkatërroi 6-0 Chelsean duke kaluar në vend të parë në renditjen e kampionatit anglez, edhe pse me pikë të barabarta me Liverpool.
Tre gola nga Sergio Aguero, dy nga Raheem Sterling dhe një i Ilkay Gundogan, i shkaktuan ndoshta humbjen më të thellë të karrierës Maurizio Sarrit.
Sulmuesi argjentinas ishte pa diskutim heroi i ditës, pasi me tre golat e shënuar barazoi Mohamed Salah në renditjen e golashënuesve më të mirë të sezonit, me 17 rrjeta. Numri 10 gjithashtu siguroi një vend në historinë e futbollit anglez, pasi shënoi tripletën e 11 personale në Premier League, duke barazuar rekordin e mbajtur deri tani nga Alan Shearer.
E duke qenë se anglezi është tërhequr tashmë prej futbollit, Aguero vetëm mund të përmirësojë kët rekord, ndërsa ndiqet nga ish-ylli i Liverpool Robbie Fowler me 9 tripleta, Thierry Henry me 8 dhe Harry Kane po me 8 të tilla.
Pas dy javësh, City do të kërkojë një “nder” nga Manchester United, që luan kundër Liverpool, për t’u shkëputur i vetëm në renditje. (A2 Televizion)