
Eksperti i ekonomisë, prof. dr. Adrian Civici, foli në një lidhje me “Skype” në Dita Jonë mbi situatën ekonomike që po kalon dhe pritet të përballet Shqipëria, nga ndikimi i koronavirusit.
Civici u shpreh se qeveria duhet sa më parë të aplikojë paketën B, e cila duhet të kthejë vështrimin nga biznesi.
“Fatkeqësisht, kur kurba e koronavisursit të fillojë të zbresë, atëherë fillon piku i ndikimit mbi ekonominë që ka kjo krizë. Paketa A që kemi zbatuar ne më shumë ka qenë një emergjencë sociale, për familjet e varfra. Këto familje duhet të ndihmoheshin në këtë situatë, por kërkohet tashmë edhe paketa B , e cila duhet ta kthejë vështrimin nga biznesi”.
Më tej, ai theksoi se mbështetja e biznesit nuk duhet parë vetëm si një emergjencë e momentit, por në të kundërt ekonomia do të nisë nga pika zero.
“Besoj se kufizimet që ka qeveria për të plotësuar vijnë nga pamundësia për t’i plotësuar, por edhe duke qenë se nuk dihet sa do të zgjasë kjo krizë. Mbështetja e bizneseve nuk duhet parë vetëm si çështje e emergjencës, por ato që të rezistojnë që të mos flasim më pas për ekonomi nga pika zero.
Ne nuk e përdorim vetëm për çështje gjuhësore si “ekonomia e luftës”, por ne jemi në situatë të jashtëzakonshme dhe kjo ka koston e saj. Kjo reflektohet edhe në strukturën e konsumit, disa kanë filluar të konsumojnë vetëm elementët bazë, por edhe bizneset kjo periudhë do të ketë një kosto që do të shtrihet në vitet në vazhdim”, tha Civici. (A2 Televizion)