
Partia e Lirisë kërkoi që qeveria të shfuqizojë bordin e transparencës së karburanteve. Sipas deputetit Petrit Vasili, përmes bordit, çmimi i naftës dhe benzinës po mbahet i lartë, në mënyrë të padrejtë. “Në bursa çmimi ka rënë në nivelet e para luftës (në Ukrainë). Zgjidhja për këtë është shkrirja e menjëhershme e bordit mafioz dhe ndërhyrja te taksat”, tha Vasili.
Ish-Presidenti Ilir Meta tha se denoncimet nga ana e Partisë së Lirisë do të vijojnë. “Çmimet do të bien kur populli do të ngrihet. Çdo denoncim është bërë me fakte, jo thjesht për qëllime politike. Dhe është në interesin më të lartë publik. Do të vazhdojmë çdo ditë. Objektivi ynë është Edi Rama. Ai është oligarku i Shqipërisë. Të tjerët janë nënkontraktorë të tij. Ora e shtetit, ligjit dhe qytetarëve të lirë po vjen”, tha Meta. (A2 Televizion)