
Pas mbledhjes që kryeministri Rama dhe ministrja Balluku zhvilluan, këtë të premte, me furnizuesit e naftës, Kryeministria ka bërë të ditur se është krijuar menjëherë Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit.
“Situata e jashtëzakonshme imponon ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të qeverisë për ngrirjen e marzheve të fitimit, si edhe transparencën e çmimit. Një Akt-Normativ me fuqinë e menjëhershme të ligjit për përballimin e kësaj emergjence shkaktuar nga lufta në Ukrainë, do të përcaktojë që nesër edhe kuadrin e detyrimeve dhe të drejtave të kufizuara të furnizuesve të karburantit, për një afat dymujor të rinovueshëm sipas dinamikës së luftës”, njofton kryeministria.
Ndërkohë, bashkëngjitur është publikuar edhe një grafikë me çmimin e naftës, i cili sipas kryeministrisë, në datën 9 mars ishte 260 lekë për litër, ndërsa sot është 223 lekë për litër. (A2 Televizion)