
Covid-19 dhe gripi sezonal mund të sjellin pandemi të dyfishtë. Të moshuarit mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, fëmijët nën 5 vjeç dhe sidomos punonjësit e kujdesit shëndetësor janë edhe grupet që mbartin rrezikun më të madh.
“Është shumë e rëndësishme që punonjësit në sektorin shëndetësor të vaksinohen, sepse nëse ata preken, mund të infektojnë pacientë që mund të kenë imunitet të dobët. Pra, është shumë e rëndësishme që ne të mbrojmë punonjësit shëndetësorë në mënyrë që ata të mund të mbrojnë pacientët në spital”, u shpreh Gerald Rockenschaub, përfaqësuesi i OBSH-së në Shqipëri.
Çdo vit, 5 deri në 15 për qind e popullsisë preket nga gripi, ndërsa 3 deri në 5 milionë qytetarë sëmuren rëndë. Rreth 650 000 persona humbin jetën çdo vit si pasojë e gripit.
Vaksina për gripin sezonal nuk interferon me atë të Covid-19. Madje ajo vlerësohet si efektive për të parandaluar pasojat e rënda.
Thirrjes për t’u vaksinuar si kundër gripit sezonal, po ashtu edhe ndaj Covid-19 i bashkohen edhe vetë pacientët.
Fushata e vaksinimit të gripit në Shqipëri nisi më 23 tetor. Në fazën e parë, do të vaksinohen punonjësit e kujdesit shëndetësor, duke u pasuar nga grupet e rrezikuara, si të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna.
(A2 Televizion)