
Thuajse 1 milion persona në një lagje të Wuhan-it në Kinë, aty ku u shfaq fillimisht koronavirusi, janë vendosur në izolim. Banorët e distriktit Jiangxia janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi apo banesa për 3 ditë për shkak të konfirmimit të 4 rasteve asimptomatikë me Covid-19.
Kina ndjek një strategji “Covid zero”, përfshirë testime masive, rregulla strikte izolimi, po ashtu edhe karantinë lokale. Menaxhimi i pandemisë në këtë formë ka funksionuar më së mirë, dhe Kina ka raportuar shumë më pak të prekur apo viktima nga koronavirusi se shumë vende të tjera të botës.
Megjithatë, kjo strategji po has kritika të shumta, pasi njerëzit dhe bizneset po përballen me humbje ekonomike për shkak të kufizimeve.
Wuhan-i u bë i njohur ndërkombëtarisht në fillim të 2020-s, pasi shkencëtarët zbuluan dhe konfirmuan koronavirusin e ri, duke e përcaktuar qytetin si origjinë të Covid-19, me dyshimet se infeksioni mund të ketë dalë dhe nga një laborator i tij. (A2 Televizion)