Debate në “A2 Business” për programin e PD për krijimin e vendeve të punës

Nga A2 CNN
10 Mars 2021, 21:30 | Ekonomi
Debate në “A2 Business” për programin e PD për

Është shoqëruar me debate, diskutimi në studion e A2 Business në lidhje me premtimin e Partisë Demokratike për krijimin e 110 mijë vendeve të punës mes hartuesit të programit të PD-së për punësimin Kastriot Sulka, përfaqësuesit të biznesit Petrit Ago, ekspertes së ekonomisë Zana Guxholli dhe ish- zv.ministrit të Financave Elton Haxhi.

Për Sulkën, premtimi i 110 mijë vendeve të punës është mëse i realizueshëm, duke marrë në konsideratë situatën e papunësisë në vend.

“Ky premtim është mëse i realizueshëm, 110 mijë vende pune janë të realizueshëm. Nuk kërkohet shumë po të shihet shpërndarja e strukturës së ekonomisë në vend. Ajo që kemi marrë në konsideratë është situata e papunësisë. Ne besojmë dhe jemi të sigurt që situata është copë-copë. Në dy vitet e para do merremi me investimin në ekonomi dhe në pjesën e dytë me korrigjimin që mund t’u ndodhë të  papunëve që nuk po gjejnë vendin e tyre të punës përmes programeve aktive të punës”.

Po përfaqësuesi i biznesit Petrit Ago e sheh me skepticizëm premtimin e PD-së për krijimin e 110 mijë vendeve të punës dhe kërkon nga Sulka të dijë se si do të realizohet konkretisht ky premtim dhe në cilët sektorë.

“Jam skeptik për premtimin e 110 mijë vendeve të punës, dua të pyes zotin Sulka se ne nuk kemi parë të konkretizuar programin ekonomik të PD, dhe si e parashikojnë ata që do të arrijnë 25 mijë vende pune, në cilët sektorët të ekonomisë dhe mbi çfarë parametrash ata parashikojnë 6% rritje për vitin 2021-22? Të premtosh 200 mln euro në sektorin e bujqësisë këto janë gjepura, unë punoj në sektorin e industrisë”.

Për Sulkon realizimi i tyre është përmes programeve aktive të tregut të punës dhe programeve të trajnimit.

“Tani më kërkoni që në tremujorin e parë do të ulni taksën. Ajo që dua të shpjegoj është se varion një vend pune nga 300 euro-5 mijë euro dhe në këtë këndvështrim ajo do të na humbasë në tërësinë e vet. Nuk do të jetë si veprim i një investimi të caktuar në një fushë të caktuar. 110 mijë vende pune janë lehtësisht të krijuar qoftë nga efekti i tërmetit dhe pandemisë. Programet aktive të tregut të punës që krijojnë për të papunët, programet e trajnimit për të adaptuar sot e 30 vjet janë programe trajnimi për një vend pune të caktuar dhe të dytët janë programet publike”.

Në mbështetje të Sulkës, Suzana Guxholli theksoi se në fushatë zgjedhore programet janë afatmesme, afatshkurta dhe afatgjata dhe nuk merren me teknikalitete, por me objektiva  

“Ne jemi në fushatë zgjedhore dhe programet janë afatmesme, afatshkurtër e afatgjatë dhe tregon me çfarë mjetesh do t’i arrijë ato. Programi nuk merret me teknikalitete dhe mënyrat konkrete si realizohen këto pasi ka ministrira dhe institucione për t’i realizuar ato. Programi nuk është diploma, por një objektiv i qeverisë. Nuk e kam hartuar por e kam ndjekur dhe analizuar programin e PD që është një program i qartë, i thjeshtë dhe aspak i paarritshëm dhe e ka shpalosur me kapituj dhe kjo krijoi këto pyetjet që bëni ju. Ato kanë dalë në kapituj të ndryshëm. Çdo autor ka të drejtë t’i grupojë si do. Nuk janë programe bombastike, por të realizueshëm  të bazuar në një rritje ekonomike. Viti 2021 quhet i ikur se në shtator fillon qeverisja e nga viti 2022 flitet për zhvillim. Për sa i përket kostos së vendit të punës jo sa i kushton biznesmenit, sa harxhon qeveria për të punësuar. Biznesin qeveria  e ndihmon me reformat në fushën rregullatorë”.

Të parealizueshëm e sheh edhe ish-zvëndësministri Haxhi programin ekonomik të Partisë Demokratike. Sipas tij programi i PD nuk ka ndonjë ndryshim madhor me programin e PS.

“110 mijë vende pune reale janë të parealizueshme dyshoj që si PD e PS në llogaritje fusin edhe formalizimin. Po diskutojmë që 100 mijë janë të pareralizueshme, sepse programi i PD në krahasim me PS nuk ka ndryshim madhor në rritje ekonomike, 5.5% thotë PS, 5.6% PD. Dhe rritje ekonomike duke dalë nga një pandemi, në momentin që ekonomia do të marrë veten 5.5 është e parealizueshme për Shqipërinë. Nëse ke rënë 6.2% në 2020,  5.5 është minimumi dhe është normale ta arrish si objektiv. Kemi 300 mijë të punësuar informalë. Nëse PD i referohet bujqësisë ka bërë zero investim se ata janë shumica informale dhe kjo nuk duhet marrë fare në konsideratë. Te paketa fiskale në bujqësi nuk kanë bërë asnjë gjë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos