Çmimet e larta po rrisin tregtinë, të paktën në një drejtim atë të parave të xhiruara. Në gusht, vlera e mallrave të blera nga jashtë arriti në 80 miliardë lekë, apo rreth 700 milionë euro, shifër kjo 31 për qind më e lartë se në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Në të njëjtën linjë shkojnë edhe shifrat nëse merren në harkun e 8 muajve, periudhë në të cilën vlera e importeve arriti në 607 miliardë lekë, rreth 25 për qind më e lart e lartë se po e njëjta periudhë e një viti më parë.

Në këtë ecuri ndikimin më të madh e kanë pasur blerjet e energjisë elektrike, shpesh me çmime rekord prej 750 euro për çdo megavat/orë, si edhe materialet e nderimit, ushqime, produktet kimike e ato tekstile.

Po si përkthehen këto shifra te jetesa e qytetarëve dhe arka e shtetit?
Më pozitive shihet situatë në kahun tjetër, atë të eksporteve. Në gusht sipas INSTAT u shitën mallra shqiptarë në vlerën e 35 miliard lekë, apo gati 300 milionë eurove, shifër kjo 48 për qind më e lartë se një vit më parë.

Edhe të marra në harkun e muajve janar-gusht, shifrat paraqiten optimiste me eksporte në vlerën e 328 miliardë lekë, 41 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të 2021-shit.

Pavarësisht ecurisë së mirë të eksporteve, shtrenjtimi i çmimeve ka rënduar deficitin tregtar të vendit, pra diferencën midis mallrave që shesim dhe atyre që blejmë nga jashtë. Në tetë muaj kjo diferencë u rrit në 2.4 miliard euro. (A2 Televizion)