
Nga Enver Robelli
Këngëtarja shqiptare Eva Ndoja arriti të këndojë vetëm disa minuta kur në një restorant afër Zürichut hyri policia zvicerane dhe e arrestoi. Kjo ndodhi në prill të vitit 2024. Sipas gazetës zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ), Ndoja është e popullarizuar te një segment i adhuruesve të muzikës në botën shqiptare në Ballkan dhe në mërgatë.
Në rrjetet sociale Ndoja ka mbi 130’000 ndjekës. Pronarët e një restoranti në fshatin Brüttisellen shtypën fletëpalosje me portretin e këngëtares për të paralajmëruar koncertin e saj. Ndoja u arrestua për shkak se, siç dyshonte policia, po punonte pa leje të punës në Zvicër. Ajo kaloi një natë në paraburgim dhe prokuroria lëshoi një dënim kundër saj. Kjo është e mundur në Zvicër kur bëhet fjalë për vepra të lehta penale. Eva Ndoja nuk e pranoi dënimin dhe doli në gjyq para disa ditësh në një gjykatë afër Zürichut.
Gazeta “Neue Zürcher Zeitung” kështu e përshkruan daljen e Eva Ndojës para gjyqit: “E veshur e tëra me të zeza, me syze dielli të vendosura mbi kokë dhe me mantelin hedhur mbi supe, Eva Ndoja ulet një vit e gjysmë pas ngjarjes në sallën e Gjykatës së Qarkut në Uster. Ajo nuk e pranon dënimin, sipas të cilit ka ushtruar aktivitet fitimprurës pa leje. Në vend të kësaj, ka marrë një avokat. Për procesin gjyqësor ajo ka udhëtuar nga Gjermania, ku jeton. Me gjykatësin flet qetë dhe e vendosur. Ajo thotë: ‘Jam këtu që ta paraqes çështjen drejt’. Dhe: ‘Kërkoj të drejtën time’.
Megjithëse ka qenë duke kënduar kur policia hyri brenda, dhe megjithëse organizatorët e kishin përdorur fytyrën e saj në fletëpalosje, ajo thotë: ‘Nuk kam punuar atje’. Ndoja rrëfen një histori krejt tjetër”.
Ajo thotë se ishte thjesht mysafire në lokal dhe pasi të pranishmit e panë aty, e lutën të këndojë ca këngë, gjë që Ndoja e bëri, siç tregoi vetë. Si dëshmitare ajo solli edhe pronaren e klubit ku kishte kënduar. Sipas “NZZ”, 43-vjeçarja - shtetase zvicerane me origjinë shqiptare - është më shumë se thjesht pronare klubi. “Sipas burimeve të informuara, ajo prej vitesh punon si ndërmjetëse për vajza të reja nga Europa Juglindore. Këto vajza duhet të sjellin qarkullim në klube - te bari, si këngëtare ose si animatore. Ato duhet të veshin rroba provokuese, të kërcejnë me mysafirët meshkuj, t’i nxisin për të pirë dhe të marrin pije të shtrenjta”.
Nga “NZZ” pronarja e lokalit përshkruhet si nyje e rëndësishme lidhëse mes pronarëve të klubeve dhe grave që i ndërmjetëson. Ka kontakte edhe me drejtues klubesh që janë gjykuar në procedime të kaluara. Vetë ajo nuk është ndëshkuar penalisht. I njëjti model shihet në disa hetime të tjera të kantonit të Zürichut mbi klubet ballkanike: gra të reja, mungesë lejesh pune, kushte shfrytëzuese.
Në disa aksione të policisë janë arrestuar këngëtarë nga viset shqiptare, të cilët kanë performuar pa leje pune në Zvicër. Në shënjestër të policisë zvicerane ka qenë edhe këngëtarja serbe Seka Aleksiq. Edhe ajo u arrestua për mungesë të lejes së punës. Policia gjeti në disa lokale ballkanike edhe armë, municion, një pistoletë me shrudhues, shkopinj gome dhe një shkop bejzbolli.
Eva Ndoja tha para gjykatës se arrestimi i shkurtër në Zvicër i kishte nxjerr shumë telashe. I është ndaluar hyrja në Zvicër dhe njëherë policia e ka mbajtur gjatë në aeroportin e Zürichut. Para gjyqit Ndoja tha: “Tek ne ka vrasje. Dhe unë po dal para gjykatës për këtë”.
Në fund 36-vjeçarja Eva Ndoja triumfoi. Gjykata e shpalli plotësisht të pafajshme. Gjykatësi tha se tek ajo nuk është gjetur as veprimtari fitimprurëse, as qëllim për të hyrë në Zvicër për të punuar.
“Situata është e paqartë, por shteti duhet të provojë fajin - jo qytetari pafajësinë”. Edhe pronarja e lokalit kishte thënë se Eva Ndoja nuk ishte paguar për performancën e saj. Këngëtarja mori dëmshpërblim për procesin gjyqësor dhe një kompensim moral - rreth 6000 franga gjithsej. Pas shpalljes së vendit, ajo u largua nga gjykata. Kur Ndoja dhe avokati hipin në veturë, ajo tha edhe një gjë: “E kam merituar pafajësinë. Besomëni”. (A2 Televizion)
