Energjia nga era, 6 kompani kalojnë në fazën e dytë të ankandit në Shqipëri

Nga A2 CNN
16 Shtator 2022, 13:50 | Ekonomi
Energjia nga era, 6 kompani kalojnë në fazën e dytë të

Shqipëria do të ketë pas tre vitesh parqe të prodhimit të energjisë elektrike nga era. Qeveria ka njoftuar nisjen e fazës së dytë të ankandit për eolikët, duke kualifikuar në garë 6 kompani, mes të cilave francezët e Total Eren, austriakët e Verbund dhe Voltalia, ku kjo e fundit po ndërton edhe parqet diellore në Karavasta dhe Spitallë.

Sipas ministres së Energjisë, Belinda Balluku, do të synohet të ngrihet një kapacitet shtesë prej 150 MW, me çmim ndjeshëm më të ulët se sa tregu. “Kemi njw tavan, sa i përket ofertës financiare, që është 75 euro për MWh”, tha Balluku.

Për ankandet e erës, kompanitë duhet të kryejnë matje përgjatë 1 viti, arsye pse fituesit do të shpallen vetëm vitin e ardhshëm.

Bashkë me erën, qeveria llogarit se vendi do të ketë kapacitete të mjaftueshme për të qenë një eksportues i energjisë, edhe në vitet kur nuk ka reshje. “Do të rrisim kapacitet prodhuese në 4 terravat për vit, duke shndërruar Shqipërinë në vend eksportues neto të energjisë”, tha Balluku.

Nga 1 Janari i vitit të ardhshëm pritet të vihen në punë TEC-et lundruese, ndërsa TEC-i i Vlorës do të nisë operimin në fund të 2023-it. Parqet e erës pritet të vihen në punë nga 2025-ta, ndërsa në vitin 2028 hidrocentrali i Skavicës do të përmbyllë projektet e akorduara deri më sot nga qeveria.

Balluku iu përgjigj edhe pyetjes së A2 CNN mbi task-forcën e energjisë që do të nisë punën nga 1 tetori. “Ka disa detyra kryesore dhe arsye pse po rithirret në këto momente. Duke qenë në momentet e një krizë energjetike të thellë, e cila nuk duket të ketë përmirësim, është e rëndësishme që të kemi eficencë të çdo kilovatorë. Kjo nis duke u kujdesur për lidhjet e paligjshme, dhe ne këtë e kemi bërë prej kohësh. Ne humbjet i deklarojmë rreth 20% dhe synojmë t’i ulim edhe më shumë. Kur flitet për lidhje të paligjshme në kohë krizë, ndërkohë që ne luftojmë të mos kemi kufizime, dikush që vjedh nga fatura e komshiut dhe OSHEE, nuk do të lejohet. Por task-forca do ta nisë kontrollin në institucionet shtetërore, ndaj të cilave kemi vënë disa detyra”, tha ministrja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos