
Studentët e universiteteve në mbarë vendin kanë filluar sot leksionet e tyre në auditorë, në qoftë se ishin të pajisur me Green Pass. Por përqindja e atyre që refuzojnë të vaksinohen mbetet ende e lartë, duke rrezikuar procesin mësimor.
Por sipas dekanit të fakultetit të Filologjisë në Tiranë, Sabri Laçi, ka bazë për optimizëm, duke parë qasjen e pjesës më të madhe të studentëve. “75% e Gazetarisë, përshembull, ishte e vaksinuar, të tjerët kishin dokumente të tjera. Sot kanë ardhur studentët nga rrethet, dhe besoj se do shkojnë në këtë drejtim, si në vendet e tjera të Europës. Ka interes të madh të studenteve për të qenë në auditorë duke iu rikthyer normalitetit, kjo vlen edhe për pedagogët”, thotë ai për A2 CNN.
Për sa i përket ndikimit që pedagogët mund të kenë në shtimin e vaksinimeve, ai thotë se “puna jonë e parë është procesi mësimor, çështja e vaksinimit i përket institucioneve te tjera. Normalisht jemi edhe prindër, dhe me ta do veprojmë me të drejtën morale për t’i thënë që me vaksinën mund të shpëtohen jetë. Por unë nuk do dal në korridore dhe klasa duke thënë shkoni dhe vaksinohuni”.
Nga pikëpamja pedagogjike, ai mendon se ky vit do të jetë ndryshe, në veçanti semestri tjetër që mund të ketë lehtësira të mëtejshme. Nuk mungojnë boshllëqet, gjatë këtyre 2 viteve online. “Kemi krijuar pak deficit për sa i përket laboratorëve, sepse leksionet janë ofruar rregullisht, edhe online. Do shtohet disi edhe ngarkesa e studentëve, por veçanërisht puna e pedagogëve”, thotë ai.
Studentët që refuzojnë vaksinimin do t’i duhet të kryejnë tamponin, që përkthehet në kosto të madhe ekonomike. Pyetjes a do të ketë shteti një politikë mbështetëse për blerjen e tyre, Laçi i përgjigjet me një ballafaqim. “Ka shtete që e bëjnë. Do të ishte mirë, sepse shumë studentë nuk kanë mundësi ekonomike”. (A2 Televizion)