Dështimi në prodhimin e domateve, raporti: Farërat janë të pastra, shkak temperaturat dhe infeksioni i bimës

Nga A2 CNN
17 Tetor 2021, 12:53 | Sociale
Dështimi në prodhimin e domateve, raporti: Farërat janë

Qindra fermerë të zonës së Roskovecit dhe Beratit dështuan në prodhimin e domates për shkak të tharjes së bimës dhe moszhvillimit të frutit. Një grup pune u ngrit me përfaqësues të Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore të Lushnjes dhe Fushë-Krujës dhe me të Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve pranë Universitetit Bujqësor.

Në raportin e tyre theksohet se shkak për dështimin ishin kushtet atmosferike si dhe ndërhyrja e vonuar e fermerit me trajtime kimike. Raporti rrëzon pretendimin e fermerëve se farërat janë jashtë standardit, duke u shprehur se fuqia mbirëse e tyre ishte në masën 99%.  

Shpend Shahini, pedagog i Universitetit Bujqësor, pjesëtar i raportit, u shpreh: “Ndikim ka temperatura e lartë dhe lagështia. Janë analizuar vetëm ato me probleme, por edhe të tjerët nuk kanë prodhim të lartë”.  

Insekti i njohur si flutura krahëbardhë përshpejtoi dështimin e prodhimit të fermerëve, pasi bima u sulmua shpejt dhe masivisht. Sipas Shahinit, fermeri nuk është në gjendje të dallojë sulmet e para të këtij insekti: “Duhen mekanizma zbulimi në mënyrë që të veprohet në kohë. Të krijojmë premisa për të ndërgjegjësuar fermerin”. 

Mosfunksionimi i duhur i zyrave këshillimore, sipas ekspertëve, është dëmi më i madh që i bëhet fermerit. 

Nga Ministria e Bujqësisë po planifikohet një reformë e re me iniciativën që çdo fermer të ketë agronomin e dedikuar shtetëror për ndjekjen e prodhimit, shërbim i cili deri më tani funksionon vetëm privatisht.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos