
Rusia refuzoi me zemërim thirrjet e ndërkombëtarëve për të paguar për dëmet e luftës që i ka shkaktuar Ukrainës. Reagimi erdhi pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me 94 vota pro, një rezolutë që i kërkon Moskës të mbajë përgjegjësi për veprimet në Ukrainë, përfshirë duke paguar kostot e riparimeve.
Nuk vonoi përgjigjja e Kremlinit, që tha se do të të bënte të pamundurën për ndaluar konfiskimin e aseteve ndërkombëtare të Rusisë nga Perëndimi, në mënyrë që të paguante për riparimet. Zëdhënësi Dmitri Peskov akuzoi Perëndimin se po përpiqet të formalizojë vjedhjen, duke shkelur rregullat e pronës private dhe ligjit ndërkombëtar.
“Natyrisht, ata që organizuan këtë po përpiqen të përfundojnë procesin e zhvatjes së arit dhe aseteve tona ndërkombëtare, të cilat janë ngrirë në mënyrë të paligjshme. Kjo do të thotë të formalizosh vjedhjen duke përdorur Kombet e Bashkuara. Rusia do të bëjë të pamundurën për ta parandaluar këtë”, tha Peskov.
Rezoluta e cila ka peshë politike, por jo fuqi detyruese, rekomandon gjithashtu shtetet anëtare që të krijojnë një regjistër ndërkombëtar për të regjistruat të dhënat dhe pretendimet për krimet e mundshme të Rusisë. Ambasadori rus në OKB Vassily Nebenzia e cilësoi rezolutën të pavlerë dhe akuzoi perëndimin se po përpiqet të përshkallëzojë konfliktin.
“Perëndimi po përpiqet të zvarrisë dhe përkeqësojë konfliktin dhe planifikon të përdorë paratë ruse për ta financuar atë”, tha ambasadori Nebenzia.
Në të kaluarën ka pasur shembuj të shteteve që janë urdhëruar të paguajnë për kostot e riparimit pas konflikteve. Më i famshëm është rasti i Gjermanisë, që ju kërkua të paguajë 269miliardë marka, ose 300 miliardë dollarë për vendet aleate pas luftës së parë botërore. (A2 Televizion)