Dëmtimet te Belgjika e Anglia, shqetësojnë De Bruyne e Alexander-Arnold

Nga A2 CNN
3 Qershor 2021, 13:16 | Futboll
Dëmtimet te Belgjika e Anglia, shqetësojnë De Bruyne e

Belgjika dhe Anglia i kanë nisur përgatitjet drejt Euro 2020 me shqetësimin që lidhet me gjendjen e yjeve të skuadrës. Kur ka mbetur vetëm një javë nga starti i evenimentit, ekipet pretendente duhet të bëjnë llogaritë me situatën e dy prej lojtarëve më të rëndësishëm.

E pasigurt është situata e Kevin De Bruyne, pas frakturës që mesfushori pësoi në fytyrë gjatë finales së Champions League ndaj Chelsea. Përplasja me Rudiger ka lënë pasoja dhe 29-vjeçari pritet të mos luajë në ndeshjen debutuese të Belgjikës kundër Rusisë, të shtunën më 12 qershor.

Objektivi është që De Bruyne të rikuperohet për ndeshjen e dytë të grupit me Danimarkën. Natyrisht që në momentin kur të kthehet në fushë, xholi i Djajve të Kuq do të mbajë një maskë speciale për të mbrojtur frakturat që pësoi në hundë dhe në mollëz. Anglia në anën tjetër është e shqetësuar për Trent Alexander-Arnold, i cili u zëvendësua mes dhimbjes në miqësoren me Austrinë. Mbrojtësi i Liverpool, pësoi një lëndim në pulpë dhe u largua nga fusha duke çaluar.

Futbollisti do t’i nënshtrohet kontrolleve të specializuara mjekësore për të kuptuar gradën e dëmtimit. Në orët e ardhshme, trajneri Southgate pret me ankth lajme rreth gjendjes së mbrojtësit, me shpresën se lëndimi nuk do të jetë serioz. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos