
Ministrja e Financave, Anila Denaj, e ftuar në “A2 Business Week”, u shpreh se amnistia fiskale është një nismë që i duhet biznesit dhe individëve.
Kur u pyet se sa do të jenë të ardhurat nga amnistia fiskale, ministrja tha se nuk ka një shifër të saktë, pasi objektivi është e mira e tyre: “Nuk ka një bazë kalkulative që të mbështesim objektivin, por themi që objektivi është në të mirë të individëve dhe bizneseve, për të vetëdeklaruar të ardhurat. Një nismë e tillë nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Bizneset që kanë paguar në mënyrë të rregullt ndihen të fyer me këtë situatë, por faljet kanë ndodhur gjithmonë në vend, siç ishte rasti i kamatë-vonesave. Amnistia i duhet biznesit dhe individëve çdo vit”.
Në lidhje me rezervat që ka treguar FMN-ja për amnistinë fiskale, Denaj theksoi: “Asnjëherë FMN-ja nuk do të jetë dakord në parim me amnistinë. Misionin e mbyllëm përpara se të nisnim draftin e amnistisë dhe raporti i FMN-së doli pak më përpara. FMN-ja do të jetë gjithmonë skeptike ndaj amnistisë”.
Sipas Denajt, pastrimi i parave do të kontrollohet nga strukturat përkatëse: “Strukturat që punojnë sot për parandalimin e pastrimit të parave kanë siguruar ndër vite informacion dhe do të vijojnë të bëjnë punën e tyre edhe përtej amnistisë. Ne kemi mjaftueshëm databazë për të indikuar dyshime të qenësishme për parandalimin e pastrimit të parave. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve do të ngrihet një strukturë që brenda 48 orëve do të verifikojë që personi i cili bën vetëdeklarimin është apo jo subjekt i listave”.
Sa i përket heqjes së taksave për biznesin e vogël, Denaj nënvizoi se “kjo është një periudhë kohe në ndihmë të individëve që kanë një biznes të vogël dhe punësojnë familjen”.
“Struktura e biznesit në Shqipëri është shumë e varur nga bizneset e vogla. Në goditjen më të parë, ata duhet të mbështeten. Përtej faktit se si do të ndikojë në moral taksimi zero, duhet të shikojmë biznesin e mesëm që sot mund të jetë shumë në vështirësi për të paguar punëmarrësit, por edhe nëpërmjet rritjes së kreditimit, që amnistia do ta ndihmonte”, tha Denaj. (A2 Televizion)