I dënuar me 20 vite burg për vrasje në Itali, arrestohet 47-vjeçari në Vlorë, në pranga dhe dy të tjerë

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2026, 11:41 | Kronikë

I dënuar me 20 vite burg për vrasje në Itali, arrestohet

Policia e Vlorës ka finalizuar tre operacione gjatë 24 orëve të fundit, duke kapur tre persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në pranga ka rënë një 47-vjeçar, i dënuar me 20 vite burgim për vrasjen me thikë të një shqiptari në Ravena të Italisë, në vitin 2000.

Gjithashtu, u kap një 49-vjeçar, në banesën e të cilit ishin gjetur rreth 12 kg kanabis dhe 6 bimë narkotike, si dhe një 50-vjeçar i dyshuar për pesë vjedhje të kryera në Vlorë gjatë muajve tetor dhe nëntor.

Njoftimi i DVP Vlorë

Finalizohen 3 operacione policore gjatë 24 orëve të fundit, kapen 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Gjatë operacioneve, u kapën në Vlorë dhe u vunë në pranga:

 ✅1 shtetas i dënuar me 20 vjet burgim, për një vrasje të kryer në Itali;

 ✅1 shtetas i akuzuar për kultivimin dhe prodhimin e rreth 12 kg Cannabis Sativa dhe disa bimëve Cannabis Sativa;

 ✅1 shtetas i akuzuar si autor i 5 vjedhjeve.

Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e shtetasve në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar 3 operacione policore, si rezultat i të cilave janë kapur dhe ndaluar 3 shtetas.

-Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizoi operacionin për kapjen e shtetasit në kërkim Maringlen Doga, 47 vjeç, banues në Vlorë, i cili u lokalizua në lagjen “Pavarësia 3”.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka njohur vendimin e autoriteteve gjyqësore italiane dhe e ka dënuar këtë shtetas, me 20 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”. Në vitin 2000, në Ravena, Itali, 47-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka vrarë me thikë një shtetas shqiptar.

-Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Vlorë, finalizoi operacionin për kapjen dhe ndalimin e shtetasit Y. D., 49 vjeç, banues në Bishan, i cili ishte shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, më datë 31.10.2026, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 12 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 6 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

-Seksioni për Hetimin e Krimeve i Komisariatit të Policisë Vlorë finalizoi operacionin për kapjen e shtetasit A. K., 50 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim për vjedhje. Ky shtetas dyshohet se gjatë muajve tetor dhe nëntor, 2026, në qytetin e Vlorës, ka vjedhur shuma parash, portofol, laptop dhe celular në subjekte/shtetasve të ndryshëm.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos