Publikuan dosjet e Gjykatës Speciale, dënohen me burg ish-drejtuesit e organizatës së veteranëve të UÇK

Nga A2 CNN
18 Maj 2022, 11:29 | Kosova
Publikuan dosjet e Gjykatës Speciale, dënohen me burg ish-drejtuesit e

Gjykata e Posaçme e Kosovës, me seli në Hagë, shpalli fajtorë dy ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe i dënoi me nga katër vjet e gjysmë heqje lirie, nën akuzat "për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës".

Të dy ata arrestuan më 25 shtator të vitit 2020 dhe në dënimin e tyre llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim. Akuzat u ngritën pasi Organizata e Veteranëve të Luftës tha në shtator të vitit 2020, se kishte marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për, siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.

Prokuroria e Specializuar tha se “Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u organizuan në bashkërendim për shpërndarjen e paautorizuar të informacionit të besueshëm dhe jo publik, duke organizuar dhe duke marr pjesë në konferencat për shtyp dhe paraqitje publike, ku informacioni i besueshëm dhe jo publik është përhapur dhe diskutuar publikisht”.

Prokuroria tha se me këto veprime, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë shkelur fshehtësinë e procedurës dhe frikësuar dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si rrjedhojë, penguan punën dhe hetimet e kësaj prokurorie.

Gucati dhe Haradinaj kanë hedhur poshtë vazhdimisht akuzat.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos