
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në konferencë për shtyp edhe për denoncimin që është bërë ndaj kreut të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili dyshohet se nuk ka lejuar patrullën e policisë të zbatojë ligjin për mbylljen e një lokali pas orës policore.
Kreu i qeverisë u shpreh se askush nuk mund t’ia hedhë pa u përballur me ligjin dhe shtoi se rasti do të ishte shqetësim, nëse policia nuk do të kishte ndjekur rrugën ligjore.
“Kur vjen puna për ofendimin e policisë askush nuk ka të drejtë dhe askush nuk mund t’ia hedhë lehtë pa u përballur me ligjin. Por policisë i bëhet dhe një ofendim tjetër i përditshëm kur i hidhet faji për çdo gjë. Ky është një ofendim shumë më i madhe sesa ofendimi i një personi. Do të shqetësohesha nëse policia nuk do të kishte ndjekur rrugën ligjore.
Të gjithë mund të gabojnë dhe të gjithë duhet të përgjigjen për gabimet. Nuk kemi një tolerim të faktit që një zyrtar i lartë ofendon një grup të patrullës. Ofendimi i madh që i bëhet policisë është ai i përditshëm dhe mungesa e mbështetjes, si dhe përmbytja e opinionit me gjysmë të vërteta”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)